Irani ka marrë përsipër sulme të reja ndaj objektivave amerikane në rajon, duke lëshuar raketa drejt Jordanisë, përfshirë bazën ajrore Muwaffaq Salti, ku janë të pranishme forca të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve arabe, gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, 31 gusht, raketa u drejtuan edhe në afërsi të Akabës. Raportimet nga terreni përmendin shpërthime në disa zona të Jordanisë.
Një zyrtar amerikan i cituar nga Fox News deklaroi se nuk ka të dhëna për dëme të konsiderueshme dhe se pothuajse të gjitha raketat e drejtuara ndaj objekteve amerikane janë kapur nga sistemet mbrojtëse.
Forcat e armatosura jordaneze njoftuan gjithashtu se kanë rrëzuar tetë raketa që kishin depërtuar në hapësirën ajrore të vendit.
Ky sulm dyshohet se lidhet me një operacion të SHBA-së në ishullin Larak. Teherani pretendon se gjatë këtij operacioni u shkatërruan dy lëshues raketash të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) e ka hedhur poshtë versionin iranian se ndërhyrja në ishull përbënte “një akt agresioni”.
“Ky pretendim është absolutisht i rremë”, reagoi CENTCOM përmes një postimi në rrjetin X. Komanda amerikane shtoi se forcat e saj kishin kryer “veprime të kufizuara dhe të sakta” kundër mjeteve të IRGC-së, të cilat, sipas Uashingtonit, përbënin kërcënim të menjëhershëm në Ngushticën e Hormuzit.
Disa orë më vonë, Marina e IRGC-së bëri të ditur se një supertanker, i cili sipas saj kishte shkelur rregulloret, ishte përfshirë nga flakët pasi kishte goditur dy mina detare.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike ka deklaruar se qëndron pas edhe një sulmi ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në njoftimin e saj thuhet se forcat iraniane përdorën dhjetëra dronë sulmues kundër zonave të bazës ajrore Al Minhad, ku janë vendosur helikopterë dhe trupa amerikane.
Zhvillimet e fundit tregojnë një tjetër rritje të tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa përplasjet ushtarake po përhapen edhe në territoret e shteteve të tjera të Lindjes së Mesme.
