Një pilot humbi jetën, ndërsa dy oficerë të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë u plagosën pas përplasjes në ajër të një avioni të vogël me një helikopter policie, të mërkurën në mbrëmje.
Të lidhura
None found
Aksidenti u regjistrua në Aeroportin Carlisle, në Qarkun Cumberland. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se mjetet e përfshira ishin një Cessna 150 dhe një helikopter policie Bell 407.
Personi që ndërroi jetë ishte piloti i Cessna-s dhe dyshohet se ai ishte i vetmi njeri në bordin e avionit.
Ndërkohë, dy pilotët e helikopterit, të cilët shërbejnë në njësinë elitare të aviacionit të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë, pësuan lëndime. Sipas autoriteteve, gjendja e tyre nuk është e rrezikshme për jetën.
Helikopteri, i cili e ka bazën në Harrisburg, ndodhej në aeroport për të zhvilluar ushtrime rutinë. Në çastin e incidentit, ai ishte duke qëndruar pezull disa metra mbi tokë, mbi një sipërfaqe me bar.
Autoritetet thanë se Cessna 150 u afrua nga pas dhe u pozicionua në drejtim të njërës prej pistave, pranë vendit ku ndodhej helikopteri. Ende nuk dihet pse avioni ndryshoi kurs në sekondat e fundit, por ai goditi helikopterin nga pjesa e pasme.
Të dy pilotët e helikopterit u kanë thënë autoriteteve se nuk e vunë re avionin gjatë afrimit të tij.
Goditja bëri që helikopteri të përmbysej dhe të përplasej me tokën. Piloti i Cessna-s vdiq në vend, ndërsa dy pilotët e helikopterit u bllokuan fillimisht brenda mjetit dhe më pas arritën të dilnin.
Zyrtarët e FAA-së shkuan në vendin e ngjarjes, ndërsa gjatë natës hetuesit e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) nisën punën për të zbardhur shkaqet e përplasjes.
