Për herë të parë, ky shtet ndalon përdorimin e TikTok për të gjithë

Montana është bërë shteti i parë amerikan që ndalon përdorimin e TikTok pasi guvernatori nënshkroi legjislacionin që ndalon dyqanet e aplikacioneve celulare të ofrojnë aplikacionin brenda shtetit deri në vitin e ardhshëm.

Lëvizja është ndër më dramatiket në një seri përshkallëzimi amerikan kundër TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance. TikTok është vënë nën kontroll për lidhjet e tij me Kinën, mes shqetësimeve se lidhje të tilla mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Qeveria federale, dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane, e kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit në pajisjet qeveritare dhe administrata e Biden ka kërcënuar me një ndalim kombëtar nëse kompania e saj mëmë nuk shet aksionet e saj.

Kompania ka mohuar më parë se ka ndarë ndonjëherë të dhëna me qeverinë kineze dhe ka thënë se kompania nuk do ta bënte këtë nëse i kërkohet.

TikTok tha në një deklaratë se ligji i Montanës “shkel të drejtat e amendamentit të parë të njerëzve të Montanës duke ndaluar në mënyrë të paligjshme TikTok” dhe se kompania synon “të mbrojë të drejtat e përdoruesve brenda dhe jashtë Montanës”.

Në mars, CEO i TikTok, Shou Zi Chew, u detyrua të mbronte marrëdhëniet e kompanisë së tij me Kinën në një seancë dëgjimore dypartiake të Kongresit, me ligjvënësit që gjithashtu e akuzojnë CEO-n për ndikimin e rrjetit social në shëndetin mendor të të rinjve.

TikTok është një nga rrjetet sociale më të njohura në botë me më shumë se 100 milionë përdorues amerikanë dhe ka ende pikëpyetje se si do të zbatohen ndalime të tilla dhe cili do të jetë ndikimi i tyre te krijuesit që përdorin platformën.

Ligji i ri i Montanës, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndalon shkarkimet e TikTok në shtet dhe do të gjobisë çdo “entitet” – një dyqan aplikacionesh ose TikTok – 10,000 dollarë në ditë për çdo herë që dikujt i ofrohet mundësia për të hyrë në këtë media sociale ose shkarkon aplikacionin. Dënimet nuk do të zbatohen për përdoruesit.

Ndalimi i Montanës pritet të përballet me sfida ligjore dhe do të shërbejë si një terren testimi për Amerikën pa TikTok që kanë parashikuar shumë ligjvënës kombëtarë.

Gianforte gjithashtu ndaloi përdorimin e të gjitha aplikacioneve të mediave sociale që mbledhin dhe ofrojnë informacione personale ose të dhëna për kundërshtarët e huaj në pajisjet e lëshuara nga qeveria. Ndër aplikacionet që ai renditi janë WeChat, kompania mëmë e të cilit ka selinë në Kinë; dhe Telegram Messenger, i cili u themelua në Rusi.

Kundërshtarët e konsiderojnë masën si tejkalim të qeverisë dhe thonë se banorët e Montanës mund ta anashkalojnë lehtësisht ndalimin duke përdorur një rrjet privat virtual, një shërbim që mbron përdoruesit e internetit duke koduar trafikun e të dhënave të tyre, duke parandaluar të tjerët të vëzhgojnë shfletimin e tyre në internet. Ndërkohë, mbrojtësit e lirisë së internetit dhe të tjerë kanë kritikuar goditjen e SHBA-së si censurë.

Keegan Medrano, drejtor i politikave për ACLU të Montanës, tha se legjislatura “shkel fjalën e lirë të qindra mijëra banorëve të Montanës që përdorin aplikacionin për të shprehur veten, për të mbledhur informacion dhe për të drejtuar biznesin e tyre të vogël në emër të ndjenjës anti-kineze”.

The Guardian