Ushtria ruse ndërmori gjatë natës një ofensivë të gjerë me raketa kundër disa qyteteve ukrainase, duke lënë të paktën shtatë persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Dy prej viktimave janë vajza të moshave 5 dhe 12 vjeç.
Të lidhura
None found
Bombardimet ndodhën një ditë pas takimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë bisedimeve, Zelensky i kërkoi Trumpit sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore për vendin e tij.
Autoritetet ukrainase njoftuan se goditjet ruse prekën disa pjesë të territorit, mes tyre edhe Kievin. Në kryeqytetin ukrainas u shënua një viktimë.
Pasojat më të rënda u regjistruan në Krivyi Rih, qyteti i lindjes së Zelenskyt. Një raketë balistike goditi një ndërtesë banimi, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur të paktën tetë të tjerë. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet mes rrënojave, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.
Dëme të konsiderueshme u raportuan gjithashtu në qytetin perëndimor të Lvivit. Shërbimet e emergjencës po përpiqen të nxjerrin njerëzit që kanë mbetur të bllokuar, ndërsa më shumë se një duzinë personash rezultojnë të plagosur.
Sulmi bëri që Polonia të ngrinte avionët luftarakë, me qëllim mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
Vetëm pak orë përpara nisjes së bombardimeve, Zelensky kishte paralajmëruar se Moska po përgatitej për një sulm të gjerë raketor në të gjithë Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, forcat ukrainase vijuan kundërpërgjigjen. Një dron goditi një depo të kompanisë ruse Wildberries në rajonin e Penzës, ku shpërtheu një zjarr i madh. Autoritetet ruse deklaruan se një person mbeti i plagosur, ndërsa rreth 200 të tjerë u larguan nga zona.
