Pas Prishtinës, Palmer dhe Lajçak me mision në Beograd: Njihen me kërkesat e Serbisë

Qeveria e Serbisë e ka në fokus dialogun me Kosovën, por kërkon zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur më parë. Kështu thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, pas takimit të kryeministres serbe Ana Bërnabiq dhe Zëvendësndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit Matthew Palmer.

Të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mirosllav Lajçak dhe Matthew Palmer, do të takohen me krerët më të lartë shtetërorë të Serbisë më 3 qershor në Beograd.

Në fokus të takimeve të tyre në Beograd, por edhe në Prishtinë, kanë qenë përgatitjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në muajin qershor në Bruksel, ku pritet të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas njoftimeve, Lajçak dhe Palmer nuk do t’iu drejtohen mediave në ditën e parë të vizitës së tyre në Beograd, por informacionet dhe njoftimet u përcollën nga institucionet serbe.

Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Bërnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ne presim ta shohim atë nga pala tjetër, në mënyrë që dialogu të ketë kuptim. Njëra prej tyre është çështja e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje”, ka thënë Bërnabiq.

Sipas deklaratës, Palmer ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rolin e të dërguarit special Mirosllav Lajçak në këtë proces, si dhe ka vlerësuar “fokusin e Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiç në bisedimet me Prishtinën”.

Zyrtarin e lartë amerikan e ka pritur edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i cili sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme ka thënë se “dialogu është rruga e vetme për të arritur një marrëveshje mes dy palëve”.

Sipas deklaratës, Selakoviq gjithashtu ka vënë në dukje se Marrëveshja e Uashingtonit shërben si plotësuese e veprimtarive të BE-së dhe se është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike është nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020 në Uashington, me ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump.

“Selakoviq ka shprehur shqetësim edhe në lidhje me sulmet e shpeshta fizike ndaj objekteve të Kishës Ortodokse Serbe në periudhën e kaluar si dhe ka rikujtuar se manastiri i Deçanit është përfshirë në listën e shtatë monumenteve kulturore më të rrezikuara në Evropë nga organizata Europa Nostra”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Kurti ka thënë të mërkurën në Prishtinë se takimi në Bruksel “nuk është takim i vazhdimit te dialogut, por është takimi i parë që pritet ta kem me presidentin e Serbisë, me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë”, pos në tryeza e konferenca.

“Pra ky është takim i parë, dhe aty do të shohim se çfarë mund të jetë kapitulli i ardhshëm i dialogut. Është takim për dialogun e ardhshëm, por nuk është vazhdim i dialogut të mëhershëm”.

I pyetur nga gazetarët më 1 qershor për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka deklaruar ai.

Deklarimet rreth Asociacionit
Vuçiç ka thënë edhe se nuk pret që në takimin me kryeministrin e Kosovës, Kurti – i cili do të duhej të mbahej në qershor në Bruksel – t’i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ai (Kurti) thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë. Dhe nëse ata presin që unë ta bëj atë, atëherë ata as nuk kanë nevojë që të më ftojnë”, ka deklaruar presidenti serb.

Vuçiç ka thënë se ai nuk e ka problem të diskutojë rreth të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme, siç është problemi i të zhdukurve ose bashkëpunimi në fusha të tjera.

Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Asociacioni serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë./ REL


Shtuar 3.06.2021 18:13