Parlamenti i Izraelit kundërshton njohjen e njëanshme të shtetit palestinez

Parlamenti i Izraelit ka votur kundër njohjes së njëanshme të shtetit palestinez, me 99 vota në favor nga 120 në total.

“Knesset votoi sot me një shumicë të madhe kundër përpjekjes për të diktuar krijimin e një shteti palestinez”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pasi Partia e tij konservatore “Likud” publikoi rezultatet e votimit.

Ai përgëzoi anëtarët e Knesset-it të cilët votuan pro propozimit të tij.

Kabineti i Netanyahut miratoi njëzëri një deklaratë të dielën, e cila kundërshton marrëveshjen e paqes me palestinezët e imponuar nga palët ndërkombëtare.

“Vetëm negociatat e drejtpërdrejta midis dy palëve pa parakushte mund të çojnë në një zgjidhje per paqen”, thuhet në deklaratë.

Media raportoi më herët se SHBA-ja dhe aleatët e tjerë gjithashtu mund të njihnin shtetin palestinez pa miratimin e Izraelit.

Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor në vitin 1967. Sot, rreth 700 000 kolonë izraelitë jetojnë midis 3 milionë palestinezëve.

Palestinezët pretendojnë territoret për një shtet të pavarur me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Kombet e Bashkuara i dhanë Palestinës statusin e shtetit vëzhgues në vitin 2012. Nga 193 shtete anëtare të OKB-së, 139 e kanë njohur deri tani Palestinën si shtet të pavarur. Gjermania dhe SHBA nuk janë mes tyre.


Shtuar 21.02.2024 22:15