Përleshje mes protestuesve pro-izraelitë dhe pro-palestinez në Kaliforni, një i vdekur (VIDEO)

Policia në Kaliforni njoftoi dje, të hënën, se ka hapur një hetim për vdekjen e një hebreu, për shkak të përleshjeve mes protestuesve pro-izraelitë dhe pro-palestinez.

Përleshjet shpërthyen të dielën midis protestuesve në dy tubime, një pro-palestinez dhe tjetri pro-izraelit, në Thousand Oaks, në veriperëndim të Los Anxhelosit, sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Ventura.

Në vendngjarje, policia konstatoi se viktima, 69-vjeçari Paul Kessler, ka “pësuar traumë në kafkë”, thuhet në njoftim.

“Dëshmitarët raportuan se Kessler ishte përfshirë në një grindje me një ose më shumë protestues” në tubimin pro-palestinez.

“Gjatë përleshjes, Paul Kessler u rrëzua mbrapa dhe goditi kokën në tokë”, thuhet në deklaratë.

Ky episod vjen një muaj pas sulmit të kryer nga lëvizja islamike palestineze Hamas në territorin izraelit, i cili mori jetën e më shumë se 1400 njerëzve, shumica prej tyre civilë. Islamistët rrëmbyen gjithashtu më shumë se 240 pengje, të cilët i morën në Gaza.

Që atëherë, Izraeli ka bombarduar vazhdimisht Rripin e Gazës. Sipas Hamasit, më shumë se 10,022 njerëz kanë humbur jetën nga bombardimet izraelite, shumica prej tyre civilë dhe mes tyre më shumë se 4,000 fëmijë.


Shtuar 7.11.2023 08:27