Panik në ajër! Avioni drejt Milanos goditet nga turbulencat, raportohet për tetë persona të plagosur

Tetë pasagjerë, përfshirë një fëmijë dyvjeçar, u lënduan pasi një fluturim i Ryanair-it nga Berlini drejt Milanos u detyrua të devijonte dhe të bënte një ulje emergjente në aeroportin Memmingen, në jug të Gjermanisë, për shkak të turbulencave të forta të shkaktuara nga moti i keq.

Sipas policisë bavareze, tre nga pasagjerët e lënduar u transportuan në spital për trajtim mjekësor, ndërsa të tjerët u trajtuan në vendngjarje. Si masë paraprake, të gjithë pasagjerët, të cilët ishin gjithsej 179 së bashku me gjashtë anëtarë të ekuipazhit, iu nënshtruan kontrolleve mjekësore.

BBC shkruan se fluturimi, i cili pritej të ulej në aeroportin e Milanos, nuk mundi të përfundonte destinacionin për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe për këtë arsye u devijua drejt Memmingenit, ku u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 20:44 me orën lokale. Autoriteti i Aviacionit të Bavarisë Jugore nuk dha leje për një fluturim të mëtejshëm.

Ryanair tha se kapiteni kishte kontaktuar paraprakisht për ndihmë mjekësore dhe kërkoi falje për shqetësimet e shkaktuara. Kompania njoftoi se kishte organizuar transport alternativ drejt Milanos atë natë dhe një fluturim zëvendësues të enjten në mëngjes


Shtuar 5.06.2025 23:10