Katër shtetas spanjollë u arrestuan të shtunën në Francë, pasi dyshohet se i morën një turisti brazilian orën e dorës me vlerë rreth 300 mijë dollarë, ekuivalente me afërsisht 261 mijë euro.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi të premten në Saint-Tropez, një prej pikave më të frekuentuara të rivierës franceze, e cila gjatë sezonit veror mbledh mijëra vizitorë, mes tyre të famshëm dhe persona me të ardhura të larta.
Sipas policisë së prefekturës Var, viktima deklaroi se ora kushtonte 300 mijë dollarë. Pas ndalimit të të dyshuarve, sendi luksoz u gjet, u sekuestrua dhe iu dorëzua sërish pronarit.
Autoritetet nisën një operacion të menjëhershëm pasi dyshohet se katër personat u larguan nga vendngjarja me makinë.
Gazeta Nice Matin raportoi se policia ndoqi gjurmët e tyre në rrugët e Gjirit të Saint-Tropez. Të dyshuarit u lokalizuan në Cogolin, pranë Saint-Tropez, ku edhe u arrestuan, përpara se të dërgoheshin në paraburgim.
Rasti i fundit lidhet me një valë më të gjerë vjedhjesh që ka shqetësuar autoritetet franceze gjatë këtij sezoni turistik. Grupet e organizuara dyshohet se kanë vënë në shënjestër turistë të pasur në Côte d’Azur, duke u grabitur orë dhe bizhuteri me vlerë të madhe.
Policia franceze bën të ditur se që nga fillimi i kësaj vere janë vjedhur rreth 15 orë luksoze në zonë.
Deri më tani, tetë persona janë arrestuar për katër nga këto raste, ndërsa hetimet për episodet e tjera vazhdojnë.
Për të përballuar shtimin e grabitjeve, autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në Saint-Tropez. Njësia e xhandarmërisë Gassin-Saint-Tropez është përforcuar këtë vit me një detashment të Zyrës Qendrore për Luftën Kundër Delikuencës (OCLDI).
Njësitë e specializuara po hetojnë veçanërisht vjedhjet e orëve luksoze dhe po përpiqen të zbulojnë grupet e organizuara që gjatë verës kanë përqendruar aktivitetin e tyre te turistët e pasur.
