Kanë kaluar një mijë ditë që kur vajzat në Afganistan u ndaluan të ndiqnin arsimin e mesëm, sipas agjencisë së fëmijëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila tha të enjten se “asnjë vend nuk mund të ecë përpara kur gjysma e popullsisë së tij ka mbetur pas”. Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, përmes një deklarate u kërkoi autoriteteve talibane që të lejojnë të gjithë fëmijët të rifillojnë mësimin menjëherë.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë vajzat afgane, të cilat sipas saj kanë nevojë më shumë se kurrë. Agjencia vlerëson se më shumë se një milion vajza janë të prekura nga ndalimi i arsimimit. Talibanët, të cilët morën pushtetin në Afganistan pas tërheqjes së forcave të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në vitin 2021, kanë thënë se vajzat që vazhdojnë shkollimin e tyre bien ndesh me interpretimin e rreptë të grupit të ligjit islamik.
Pavarësisht se fillimisht premtuan një rregull më të moderuar, talibanët gjithashtu i kanë ndaluar gratë nga arsimi i lartë, hapësirat publike si parqet dhe shumica e vendeve të punës, si pjesë e masave të ashpra të vendosura. Talibanët ndaluan arsimimin e vajzave edhe kur sunduan Afganistanin në vitet 1990. Ata i kanë ndaluar vajzat të ndjekin mësimet përtej klasës së gjashtë, duke e bërë atë të vetmin vend në botë me kufizime të tilla. Në mars, viti i ri shkollor filloi me ndalimin e vajzave për të ndjekur mësimet përtej klasës së gjashtë. Gazetaret femra nuk u lejuan të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes.
Talibanët gjithashtu i kanë dhënë përparësi njohurive islame mbi shkrim-leximin bazë dhe numërimin me zhvendosjen e tyre drejt medreseve ose shkollave fetare. Drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it e quajti përjashtimin sistematik të vajzave “jo vetëm një shkelje të hapur të së drejtës së tyre për arsimim, por gjithashtu që rezulton në pakësimin e mundësive dhe përkeqësimin e shëndetit mendor”. Ajo tha se UNICEF-i punon me partnerë për të drejtuar klasa arsimore të bazuara në komunitet për 600.000 fëmijë, dy të tretat e tyre vajza dhe për të trajnuar mësues.
Edhe pse djemtë afganë kanë qasje në arsimim, Human Rights Watch ka thënë se politikat arsimore “abuzive” të talibanëve po i dëmtojnë ata. Në një raport të botuar në dhjetor, grupi tha se është shkaktuar dëm i thellë në arsimimin e djemve pasi mësuesit e kualifikuar – përfshirë gratë – u larguan. Gjithashtu të enjten, një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se talibanët u kanë thënë nëpunësve civile femra të ndaluara nga puna se pagat e tyre do të ulen në nivelin më të ulët pavarësisht nga përvoja apo kualifikimet e tyre.
“Vendimi i fundit diskriminues dhe thellësisht arbitrar” tha Liz Throssell. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, u bëri thirrje autoriteteve të shfuqizojnë të gjitha ligjet, udhëzimet, dekretet dhe masat e tjera që diskriminojnë gratë dhe vajzat, duke shkelur qartë detyrimet e vendit për të drejtat e njeriut, shtoi Throssell. Askush nga talibanët nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment./REL