Prindërit e Darcey-t, foshnjës 9-ditëshe që vdiq pasi në trupin e saj u zbulua kokainë, nuk do të vuajnë dënim në burg.
Të lidhura
None found
Më 11 nëntor 2023, vogëlushja u gjet pa ndjenja në një dhomë të Hotel Victoria, në Newquay të Cornwall-it. Gjatë seancës gjyqësore u tha se droga mund të kishte kaluar te foshnja përmes qumështit të gjirit.
Rochelle Thomas, 30 vjeçe, dhe Andrew Maunder, 29 vjeç, kishin marrë një dhomë në hotel pak kohë pas lindjes së vajzës.
Ekipet e urgjencës shkuan në vendngjarje, por Darcey u shpall e vdekur pak pas orës 11:00. Prindërit u gjetën në gjendje të rënduar emocionale, ndërsa në fytyrën e foshnjës u konstatuan gjurmë gjaku.
Të dy pranuan akuzën për neglizhencë ndaj fëmijës. Në Gjykatën e Truro-s u bë e ditur se çifti konsumonte kokainë. Testet toksikologjike treguan se Thomas e kishte përdorur substancën gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, ndërsa Maunder e konsumonte në mënyrë të rregullt.
Gjurmë të drogës u gjetën në organizmin e Darcey-t, në rrobat dhe gishtat e prindërve, si edhe në një gotë të vendosur pranë shtratit.
Gjykatësi Simon Carr vendosi për secilin prej tyre një dënim prej dy vjetësh e gjysmë burgimi, por ekzekutimi i tij u pezullua për tre vjet.
“Darcey duhej të mund të mbështetej te ju për mbrojtjen e saj. Ju dështuat plotësisht ta mbronit”, deklaroi gjykatësi, duke vënë në dukje se varësia e prindërve kishte zënë vendin e përgjegjësisë për kujdesin ndaj foshnjës.
Gjatë përcaktimit të dënimit, gjykata mori parasysh edhe problemet e rënda psikologjike të çiftit. Thomas e kishte përdorur drogën për të përballuar stresin post-traumatik dhe depresionin, ndërsa për Maunder u vlerësua pendesa e tij dhe vështirësitë që kishte përjetuar me shëndetin mendor.
Përveç dënimit të pezulluar, të dy duhet të marrin pjesë për një vit në programe rehabilitimi. Thomas është urdhëruar gjithashtu të ndjekë për gjashtë muaj një program të posaçëm për trajtimin e varësisë nga droga.
