Pasagjerët që zbarkuan në aeroportin ndërkombëtar në qytetin e Sao Goncalo do Amarante u “bllokuan” në aeroplan për një arsye të pazakontë.
Mediat braziliane raportojnë se aeroplani, Voepass u mbajt në pistë sepse një tufë bletësh “pushtuan” krahët e tij.
Aeroplani u ul rreth orës 12:30 me orën lokale dhe pasagjerët ishin gati të largoheshin. Megjithatë, një njoftim ka bërë që të kthehen në vendet e tyre.
“Bletët gumëzhinin rreth aeroplanit. U habitëm”, tha më vonë një nga pasagjerët Everton Cesar.
Kur ata iu afruan rrezikshëm dritareve, u mor vendimi që pasagjerët të mos dilnin jashtë, raporton nypost.
Insektet e vazhdueshme nuk kishin në plan të lëviznin, kështu që zjarrfikësit u ftuan për të ndihmuar.
“Atyre iu desh pak kohë për të mbërritur, për të vlerësuar situatën dhe për të vendosur se çfarë të bënin. Pasagjerët po nervozoheshin”, shtoi Cesar.
Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë zjarrfikësit duke spërkatur bletët me një “substancë të paidentifikuar” për t’i larguar.
Pasagjerët mund të largoheshin një orë pas uljes në aeroport.