Një tjetër shtet Europian lehtëson ndjeshëm masat kufizuese kundër Covid-19

Dy javë pas prezantimit të një sërë masash të reja, Islanda do të lehtësojë sërish ndjeshëm masat kufizuese kundër Covid-19. Lajmin e ka dhënë kryeministrja Katrín Jakobsdóttir në një konferencë për shtyp në Reykjavik.

“Sot kemi një lajm të mirë. Duke nisur nga e shtuna, do të lejohet grumbullimi deri në 50 persona, nga 10 që ishte më parë. Lokalet dhe pub-et do të lejohen të rihapen pas mbylljes së tyre në mes të janarit”, tha ajo.

Më herët, qeveria mori një sërë masash më të rrepta për shkak se sistemi shëndetësor po përballej me një mbingarkesë. Tani jeta publike do të lehtësohet sërish, veçanërisht në sektorin e kohës së lirë, ku më shumë persona do të lejohen të përdorin pishinat ose palestrat.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, jeta normale shpresojmë të rifillojë nga mesi i marsit. Qeveria shqyrton lehtësimet e mundshme në intervale të rregullta dhe, siç janë gjërat, po planifikon të heqë pothuajse të gjitha masat”, tha Jakobsdóttir.

Sipas shifrave aktuale, 5 për qind e 360,000 banorëve të vendit janë aktualisht në izolim ose karantinë. Incidenca e infeksionit, për një periudhë 14-ditore në Islandë, aktualisht është 4,986. Megjithatë, numri i shtrimeve në spital kohët e fundit ka rënë.

Shtuar 29.01.2022 10:58