Ben Jones, aktori amerikan që u bë i njohur për interpretimin e mekanikut Cutter Davenport në serialin televiziv “The Dukes of Hazzard”, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Lajmin e dha bashkëshortja e tij, Alma Viator, e cila bëri të ditur se Jones kishte pësuar një atak të rëndë në zemër të dielën.
Të lidhura
None found
“Humba dashurinë e jetës sime sot. Ben ndërroi jetë nga një atak në zemër”, shkroi Viator në Facebook, ku publikoi edhe një fotografi të aktorit së bashku me qenin e tij.
Sipas rrëfimit të bashkëshortes, aktori ishte në shtëpi dhe po qëndronte në kolltukun e tij të preferuar, ndërsa priste të shihte përballjen e Atlanta Braves me New York Yankees.
“Ben pati një jetë të mrekullueshme, të pasur dhe të plotë. Ai e donte dhe u dashur nga kaq shumë njerëz. Do të na mungojë. E doja aq shumë”, u shpreh ajo në njoftimin e saj.
Roli i Cutter Davenport në “The Dukes of Hazzard” e solli Jones në vëmendjen e publikut amerikan. Ai ishte pjesë e të shtatë sezoneve të serialit, i cili u transmetua nga viti 1979 deri në vitin 1985.
Produksioni i CBS u shndërrua në një nga serialet më të njohura televizive amerikane të asaj kohe dhe pati ndikim të rëndësishëm në kulturën popullore.
Gjatë karrierës së tij, Ben Jones mori pjesë edhe në projekte të tjera kinematografike dhe televizive, përfshirë “Smokey and the Bandit”, “Moonrunners” dhe “As the World Turns”.
Pas përfundimit të angazhimit të tij në aktrim, Jones u përfshi në politikë.
Ai kandidoi në vitin 1988 për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në Distriktin e 4-t të Xhorxhias dhe fitoi. Në vitin 1990 u rizgjodh, duke shërbyer gjithsej për dy mandate në Kongres.
Më pas, Jones u përball në zgjedhje me republikanin Newt Gingrich, por nuk arriti të fitonte.
Tom Wopat, aktori që luante Luke Duke në “The Dukes of Hazzard”, ishte ndër personat e parë nga kasti që reaguan publikisht pas lajmit.
“‘The Dukes of Hazzard’ humbën sot një tjetër anëtar të rëndësishëm të kastit. Ben Jones ishte një mik i mrekullueshëm dhe një mbështetës i vendosur i të gjitha më të mirave që ne ofrojmë në argëtim”, shkroi Wopat në Facebook.
“Do të na mungojë shumë”, shtoi ai, duke përmendur gjithashtu Denver Pyle, aktorin që interpretonte xhaxhain Jesse në serial.
Edhe pse “The Dukes of Hazzard” u mbyll në vitin 1985 pas shtatë sezonesh, seriali vijoi të kishte një rol të rëndësishëm në kulturën pop amerikane.
Në vitin 2005, historia u përshtat sërish për kinemanë, këtë herë në formën e një komedie aksioni ku interpretuan Jessica Simpson, Johnny Knoxville dhe Seann William Scott.
Humbja e Ben Jones është një tjetër goditje për kastin e serialit që për dekada me radhë u rendit ndër produksionet televizive më të dashura në Shtetet e Bashkuara.
