Nafta në tregjet globale ka pësuar rënie, duke zbritur në pikën më të ulët të regjistruar që përpara nisjes së konfliktit me Iranin, ndërsa qarkullimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit po i kthehet gradualisht normalitetit.
Nafta Brent ra në 73 dollarë për fuçi, pasi në fund të muajit prill kishte arritur deri në 126 dollarë, në kulmin e përshkallëzimit të konfliktit. Ky është niveli më i ulët i çmimit që nga 27 shkurti, një ditë para se goditjet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit të çonin në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve, që nga marrëveshja e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për përfundimin e konfliktit, rreth 200 anije kanë kaluar tashmë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ulja e çmimit pritet të japë një frymëmarrje për bizneset dhe konsumatorët, të cilët gjatë muajve të fundit janë përballur me rritje të forta të kostove të karburanteve.
Chris Beauchamp, analist kryesor i tregjeve në IG, deklaroi se Brent është në trajektoren për të shënuar rënien më të madhe mujore që prej vitit 2020.
“Kjo sjell lehtësim për konsumatorët në mbarë botën, me kushtin që industria të arrijë të kompensojë mungesat e krijuara nga muaj të tërë ndërprerjesh. Megjithatë, kjo do të godasë fitimet e kompanive të sektorit të energjisë”, u shpreh ai.
Për Europën, një pjesë e madhe e importeve të benzinës dhe naftës mbështetet te çmimet e platformës Platts, që shërbejnë si referencë kryesore edhe për Shqipërinë. Platts nuk tregton naftë, por publikon çmime orientuese që përdoren nga rafineritë, importuesit dhe tregtarët në të gjithë botën.
Në Shqipëri, çmimi referencë i naftës nga kjo platformë për 24 qershorin ishte 886 dollarë për ton, ndërsa më 25 qershor arriti në 913 dollarë për ton. Këto çmime pasqyrohen më vonë në pikat e shitjes së karburantit në vend.
Në përgjithësi, kompanitë shqiptare blejnë volume të mëdha nafte që mbërrijnë me anije pas disa ditësh ose javësh. Në rastet kur një ngarkesë është blerë në periudhën kur çmimi ishte më i lartë, ajo do të tregtohet me atë kosto, edhe nëse ndërkohë çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë.
