Pas vrasjes së Bledar Dedjas, 39-vjeçarit shqiptar në Paderno del Grappa i cili u godit 20 herë me thikë pasditen e 20 janarit, skenarë të ndryshëm shqetësues po dalin në dritë.
Disa ditë më parë një 17-vjeçar nga Pieve del Grappa u ndalua dhe u dërgua në burg në Treviso, ku ndodhet ende, me akuzën e vrasjes me paramendim.
Duke folur me hetuesit, i mituri ka treguar njohjen e tij me 39-vjeçarin, e cila filloi rreth një vit më parë.
Ai gjithashtu ka raportuar për një rrjet të gjerë prostitucioni, pjesë e të cilit janë djemtë dhe vajzat e mitura. Dëshmia tani do të verifikohet nga hetuesit dhe do të thirren të gjithë personat për të verifikuar pretendimet e 17-vjeçarit.
“Historia është shumë më komplekse nga sa duket”, tha avokatja e djalit, Elisa Berton, në fund të seancës dëgjimore në Prokurorinë në Venecia, raportuar nga Il Gazzettino.
Ende nuk dihen motivet e krimit
Motivi i krimit mbetet ende i mbuluar me mister. Paraditen e sotme, 17-vjeçari u mor sërish në pyetje nga prokurori publik i Prokurorisë për të Mitur të Venecias, Giovanni Parolin. Tani ai ndodhet në paraburgim në burgun e Trevisos, ku monitorohet vazhdimisht nga oficerët e policisë së burgjeve.
Institucioni penal, siç e kërkon ligji, i ka pajisur me psikolog dhe edukator dhe do ta lejojë të vazhdojë studimet për të mos humbur vitin shkollor.
Rindërtimi i vrasjes
Sipas asaj që është rikonstruktuar deri më tani nga puna e hetuesve, të shtunën e datës 20 janar 17-vjeçari është paraqitur në takim me një thikë të fshehur poshtë rrobave. Në momentin që ndodhej vetëm me 39-vjeçarin në pyll në Via dei Colli, e goditi rreth 20 herë me thikë.
Goditja në mushkëri rezultoi fatale. Më pas i mituri u largua dhe u paraqit në spital për të marrë ndihmë mjekësore pasi kishte plagë me thikë në dorë. Hetuesit besojnë se ai është përleshur fillimisht me Bledarin, cili ka tentuar të mbrojë veten.