Friedrich Merz, një ish-bankier që nuk ka qenë kurrë ministër i ndonjë qeverie gjermane, duket pothuajse e sigurt se do të jetë kancelari i ardhshëm pasi aleanca e tij konservatore CDU/CSU fitoi shumicën e votave në zgjedhjet vendimtare federale të së dielës.
Gjatë fushatës, vendimi i tij për të bashkuar votat në parlament me ekstremin e djathtë shënoi një kthesë historike dhe shumë të diskutueshme, edhe pse ai ka këmbëngulur disa herë se nuk do ta thyente kurrë “murin e zjarrit” të Gjermanisë (“brandmauer”) duke bërë një koalicion qeverisës me AfD-në e ekstremit të djathtë.
Megjithatë, sado testues të jetë peizazhi i brendshëm politik dhe ekonomik, shumë nga sfidat më urgjente, Merz-it mund t’i vijnë nga jashtë Gjermanisë. Njeriu që dikur merrte lavdërime duke pretenduar se mund të thjeshtonte jetën e miliona njerëzve duke ulur taksat do të përballet me një realitet krejt më kompleks.
Merz, një aviator i shkathët dhe baba i martuar i 3 fëmijëve, gruaja e të cilit e pengoi të blinte një avion privat derisa fëmijët të dilnin nga shtëpia (tani thuhet se ka dy avionë) po shpreson të lërë gjurmë në politikën gjermane. Më poshtë është një vështrim i shkurtër i karrierës së tij.
Marrëdhëniet me SHBA
Pasi u prezantua që herët në fushatën zgjedhore si një biznesmen i vendosur, i cili ishte i pajisur mirë për të bërë marrëveshje ballë për ballë me “tregtarin” Donald Trump, Merz u detyrua të ndryshonte qëndrimin e tij brenda pak orësh pasi presidenti i SHBA-së ktheu narrativën mbi luftën e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Trans-atlanticisti dikur optimist mori dozën e tij të parë të real-politikës para se të fitonte detyrën e lartë. Kjo pasi retorika e tij ndryshoi shpejt për raportet me Trump. Merz nuk bëri asgjë për të fshehur tronditjen e tij pas deklaratave të Trump që fajësonte Ukrainën për luftën. Merz e quajti atë “një përmbysje klasike e rrëfimit autor-viktimë”.
“Kështu e ka paraqitur Putini prej vitesh dhe sinqerisht jam disi i tronditur që Donald Trump tani e ka bërë të tijën”, – tha ai, duke iu referuar Trump si “një admirues i sistemeve autokratike”.
Të biesh pre e emocioneve, tha ai, nuk do ta çonte Evropën askund. “E vetmja gjë që mund të bëjmë, nëse kemi një ide të ndryshme për demokracinë është që të bashkojmë veprimet tona në Evropë sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Megjithatë sfida është e madhe. Prishja brenda natës në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Berlinit, e cilësuar nga Merz në terma të paqartë si një “ndarje epokale”, ka të ngjarë të bëhet elementi përcaktues i qeverisë së tij.
Me siguri kjo do të dominojë në që ishte një tabaka tashmë e mbingarkuar. Si udhëheqës i ekonomisë më të madhe të Evropës, trajtimi i krizës nga ana e tij do të jetë vendimtar për mënyrën sesi kontinenti do të përballet me një rend të ri botëror.
“Është ekonomia budalla!”
Ekonomia më e madhe e Evropës ka nevojë për një rindezje. Sfidat janë të shumta, nga mbirregullimi dhe rrënimi i infrastrukturës, te kostot e larta të energjisë, mungesa kronike e specialistëve dhe plakja e popullsisë. Ka, thonë shumë gjermanë, një nevojë urgjente për investime në çdo gjë, nga mbrojtja e vendit deri te infrastruktura e tij.
Por, duke bërë këtë, ka të ngjarë që Merz të lehtësojë një rregull të mbrojtur me kushtetutë, që njihet si “frena e borxhit”, i cili për vite është përdorur nga Berlini për të pretenduar statusin e tij shumë të lavdëruar si një shembull i disiplinës fiskale.
Nën frenimin e prezantuar në 2009 nga Angela Merkel për të treguar se Gjermania ishte e përkushtuar për të balancuar llogaritë pas krocës bankare, qeverisë federale i kërkohet të kufizojë huamarrjen vjetore në 0.35% të PBB-së.
Merz mund ta rregullojë këtë dhe nga ana tjetër të çlirojë fondet e nevojshme për investime në gjithçka, nga banesat, tek infrastruktura hekurudhore, të cilat më shumë se gjysma e gjermanëve i mbështesin. Por edhe kjo nuk do të kalonte pa polemika. Në të vërtetë, ishte një mosmarrëveshje për “frenimin e borxhit” që në fund rrëzoi qeverinë e Olaf Scholz.
Ukraina
Ukraina është tashmë një “mollë e madhe sherri” në Gjermani. Ekziston një ndarje e qartë në popullatë midis atyre që besojnë se mbështetja për Kievin sjell kërcënimin e luftës më afër Gjermanisë, një pretendim i fuqishëm i bërë nga lëvizja “konservatore e majtë” Sahra Wagenknecht (BSW) dhe atyre që besojnë se mosmbështetja e saj dhe shfaqja e dobësisë përballë Vladimir Putinit është edhe më e rrezikshme.
Merz qartazi bën pjesë në kampin e dytë. Ai e paralajmëroi Scholz-in kundër adoptimit të “një politike qetësuese” ndaj Rusisë dhe vizitoi Kievin edhe përpara kancelarit të atëhershëm.
Gjermania është ofruesi i dytë më i madh i furnizimeve ushtarake për Ukrainën, dhe Merz e ka mbështetur me zjarr këtë, duke thënë se do të dëshironte të shkonte edhe më tej duke i ofruar Ukrainës raketa me rreze të gjatë “Taurus”. Ai gjithashtu ka të ngjarë të përballet me thirrje për të dërguar trupa gjermane në Ukrainë si pjesë e një force parandaluese ose paqeruajtëse, një diskutim që Scholz e ka përshkruar si “plotësisht të parakohshëm”.
E djathta ekstreme gjermane
Çështja se me kë do të kërkojë Merz të hyjë në koalicion dhe nëse ai do të vazhdojë të përjashtojë mundësinë e formimit të një qeverie me AfD-në e ekstremit të djathtë, është më e rëndësishmja në mendjen e elektoratit. Vendimi i Merz në janar kur sinjalizoi pranimin e thyerjes së një tabuje ndaj AfD-së për mbështetjen e një “plani 5 pikash” jo-detyrues për kontrolle më të forta kufitare ishte një pikë kthese në atë që kishte qenë një fushatë zgjedhore disi e acaruar.
Që atëherë ai ka këmbëngulur vazhdimisht se një koalicion CDU-AfD nuk është në plan. Por shumë kanë frikë se një qeveri koalicioni të paqëndrueshëm dhe të përçarë do të çojë në një përsëritje të ngërçit dhe konfliktit që përcaktoi administratën fatkeqe të “semaforit” të Scholz.
Dhe frika është se kjo mund të hapë pa dashje rrugën për një koalicion CDU-AfD me një udhëheqës të ri, më pak ngurrues në zgjedhjet e ardhshme të mundshme në 2029-ën.
Sherri me Merkelin
Merz u mënjanua nga ish-kancelarja kur ai u përpoq të depërtonte në nivelet e larta të CDU në fillim të viteve 2000 dhe të dy nuk kanë qenë kurrë në marrëdhënie të mira.
Ai i ka bërë të qarta ndjenjat e tij për 16 vitet e saj në pushtet, duke iu referuar udhëheqjes së saj si “boshe” dhe duke pretenduar se një “tis mjegulle” ishte mbi politikën e saj “të dyerve të hapura” për refugjatët në 2015.
Në kujtimet e saj të publikuara vitin e kaluar, Merkel tha se ajo “nuk e turpëroi” rivalin e saj të vjetër për karrigen e kancelarit, duke thënë se njohu tek ai “dëshirën e pakushtëzuar për të pasur pushtet”.
Por më pas, në janar, erdhi një kritike e rrallë publike, pasi ish-kancelarja kritikoi flirtin e Merz me AfD-në. Merkel ende gëzon shumë respekt në mesin e shumë gjermanëve, kështu që vlerësimi i saj për lidershipin e tij të ardhshëm ia vlen të dëgjohet. ©The Guardian