Në një intervistë për New York Times, Giorgia Meloni deklaroi se kishte parashikuar një marrëdhënie më të thjeshtë me Donald Trump, për shkak të qëndrimeve të përbashkëta mbi imigracionin dhe kulturën “woke”. Megjithatë, sipas saj, zhvillimet nuk shkuan në këtë drejtim.
Të lidhura
None found
Kryeministrja italiane nënvizoi se, pavarësisht kësaj, ajo vijon ta konsiderojë unitetin e Perëndimit një çështje thelbësore. Meloni tha gjithashtu se strategjia kombëtare e Italisë nuk përcaktohet nga raportet e saj personale.
Meloni theksoi se në marrëdhëniet e saj me të tjerët respekton disa parime të vendosura nga vetë ajo. “Rregulli im i parë është të mos them asnjëherë diçka që nuk e besoj. Askush nuk mund të më detyrojë të veproj ndryshe”, u shpreh ajo, duke e cilësuar këtë qëndrim si një faktor të rëndësishëm që e ka ndihmuar të qëndrojë në detyrën e kryeministres për gati katër vjet.
E pyetur për periudhën njëzetvjeçare të diktaturës fashiste, kreu i qeverisë italiane e përshkroi atë si një etapë “qartësisht komplekse”.
Sipas Melonit, vlerësimi i asaj kohe ndryshon në varësi të këndvështrimit. Ajo tha se, nëse ngjarjet do të përjetoheshin drejtpërdrejt prej nesh, perceptimi mund të ishte i ndryshëm nga ai që krijohet sot.
Duke folur për rrugëtimin e saj politik dhe fitoren dominuese në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Meloni tha se arriti në këtë pikë pasi pati kurajën të zgjidhte anën më të vështirë të historisë dhe të mos ndiqte rrymën. “Ndoshta isha personi i duhur në momentin e duhur”, përfundoi ajo.
