Një 53-vjeçar shqiptar është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga karabinierët në Itali pasi kishte mbajtur të mbyllur në shtëpi ish-gruan e tij dhe fëmijët dhe i ka dhunuar fizikisht. Sipas mediave italiane, ai u kap në flagrancë sepse kishte rrëmbyer ish-bashkëshorten e tij, një 42-vjeçare po ashtu shqiptare, dhe dy fëmijët e tyre të mitur, 7 dhe 11 vjeç, të cilët jetojnë me nënën e tyre.
Operacioni për arrestimin e tij u bë pas mbledhjes dhe ndarjes së informacionit në kuadër të një bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë, të iniciuar përmes rrjetit konsullor shqiptar, i cili kishte marrë raportime në atë vend se një bashkatdhetar po e mbante me forcë ish-gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre.
Brenda rreth një ore, oficerët italiane bënë të mundur arrestimin e tij, teksa po drejtonte një makinë me ish-gruan dhe dy fëmijët e tij. Sipas raportimeve të policisë, të tre ishin qartësisht të shqetësuar ndërsa ishin ulur në sediljen e pasme. Gruaja dhe një nga fëmijët e saj kërkuan menjëherë ndihmë.
Karabinierët zbuluan se burri kishte vjedhur pasaportat dhe telefonat e tyre celularë, duke i penguar ata të arratiseshin. Hetimet e mëvonshme zbuluan dhe rrjedhën e ngjarjes: burri dyshohet se përdori një pretekst të rremë për të bindur ish-bashkëshorten e tij të udhëtonte për në Itali me fëmijët e tyre të mitur, duke mbërritur atje më 30 korrik, dhe më pas i mbajti ata kundër vullnetit të tyre, duke përdorur kërcënime dhe dhunë fizike. 53-vjeçari akuzohet edhe për posedim të paligjshëm të një thike, ndërsa është dërguar në burgun e Perugias, sipas urdhërit të gjyqtarit të rastit.