Maqedonia e Veriut pritet të nënshkruajë marrëveshje për partneritet strategjik me Britaninë

Maqedonia e Veriut pritet të bëhet vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkruan marrëveshje për partneritetit strategjik me Britaninë e Madhe.

Marrëveshja në vlerë rreth 6 miliardë euro pritet të nënshkruhet të enjten në Londër nga një delegacion i Qeverisë maqedonase, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolovski.

Megjithatë, hollësitë e këtij partneriteti dhe kushtet sipas të cilave Maqedonia e Veriut do të marrë burimet financiare nga Britani, nuk janë bërë të ditura ende.

Autoritetet maqedonase dhe Londra e mohojnë se marrëveshja përfshin pranimin e emigrantëve në Maqedoni, të cilëve nuk u është pranuar azili në Britani.

“Është diçka që nuk na ka shkuar kurrë në mendje dhe askush nuk na e ka kërkuar”, u tha kryeministri Hristijan Mickoski anëtarëve të partisë së tij VMRO DPMNE në Shkup, të dielën.

Për të, marrëveshja është “historike”, sepse qasja në 6 miliardë euro kredi të favorshme, “do të sjellë një revolucion investimesh në vend, një cikël investimesh vërtet historik, që do të thotë punë, ndërtim, zhvillim”, tha Mickoski, duke përmendur ndërtimin e hekurudhave, autostradave, spitaleve dhe konvikteve studentore.

Ambasadori britanik në Shkup, Matthew Lawson, gjithashtu mohoi spekulimet për dërgimin e emigrantëve në Maqedoni, duke theksuar se bashkëpunimi në këtë fushë do të lidhet me luftën kundër rrjeteve kriminale dhe shkëmbimin e informacionit të inteligjencës.

Zëvendëskryeministri Nikoloski, siç njofton Qeveria, do të takohet në Londër edhe me Dame Angela Eagle, ministre për Sigurinë Kufitare dhe Azilin e Britanisë, përgjegjëse për trajtimin e emigracionit të parregullt.


Shtuar 21.05.2025 16:06