Një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së financierit amerikan Jeffrey Epstein, i cili humbi jetën në qeli më 2019, mund t’i shkojë Karyna Shuliak, një stomatologe 37-vjeçare me origjinë nga Bjellorusia.
Të lidhura
None found
Sipas një investigimi të The New York Times, ajo do të përfitonte deri në 100 milionë dollarë, përfshirë këtu edhe një gur të çmuar prej 33 karatësh.
Lidhja mes Shuliak dhe Epstein dyshohet se zgjati rreth tetë vjet. Përmendja e kësaj marrëdhënieje shfaqet edhe në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Gazetat raportojnë se Shuliak ishte personi i fundit që bisedoi në telefon me Epstein përpara vdekjes së tij në burg.

Shtypi amerikan tregon se ata u takuan në Nju Jork, kur ajo sapo kishte mbushur 21 vjeç dhe kishte vetëm pak muaj që jetonte në Shtetet e Bashkuara. Ai e quante Shuliak “e preferuara” e tij dhe, sipas informacioneve, i dha mbështetje për t’u regjistruar në programin e stomatologjisë pranë Universitetit Columbia, si dhe për të siguruar dokumentat e qëndrimit në Amerikë.
Raportohet gjithashtu se Epstein i kishte rekomanduar asaj që të martohej me një prej viktimave të tij si mënyra më e shpejtë për të marrë nënshtetësinë amerikane. Gjatë viteve së bashku, dyshja udhëtoi në shumë shtete të botës, ndërkohë që Shuliak mendohet t’i ketë dërguar familjes së saj në Bjellorusi shuma të mëdha monetare.
Me kalimin e kohës, Epstein i dorëzoi asaj kontrollin e një pjese të aseteve të tij, një fakt që ka shtuar hamendësimet se dentistja mund të jetë një prej përfituesve kryesorë të trashëgimisë që llogaritet në dhjetëra miliona dollarë. Megjithatë, deri në këtë moment, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndarjen përfundimtare të pasurisë.
