Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vdekja e raportuar e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, në një burg rus të premten, është thirrje “për të gjithë që ta shohim autoritarizmin si gatishmëri për vrasjen” e atyre që e kundërshtojnë pushtetin e kapur. Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.
Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, shkroi në rrjetin social X: “Vdekja e raportuar e Navalnyt është thirrje për të gjithë që ta shohim autoritarizmin si të tillë; një gatishmëri për të vrarë dhe torturuar këdo që e kërcënon pushtetin e kapur fuqishëm”.
Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.
“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin social X se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.
Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj.
Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.