Një prej krizave më të rënda migratore të viteve të fundit është regjistruar në enklavën spanjolle të Ceutës, ku të paktën 57 persona vdiqën duke tentuar të hynin nga Maroku. Brenda vetëm 24 orësh, kufirin e kaluan rreth 50 mijë emigrantë.
Të lidhura
None found
Fluksi i madh vendosi nën trysni të jashtëzakonshme qytetin me afërsisht 85 mijë banorë. Mijëra persona, mes tyre edhe fëmijë të pashoqëruar, u detyruan të qëndronin në rrugë dhe parqe.
Situata u përkufizua nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, si një “shkelje e integritetit territorial të Spanjës”. Ai akuzoi rrjetet kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore se kishin organizuar kalimet në masë.
Sipas njoftimit të qeverisë spanjolle, më shumë se 48 mijë persona janë rikthyer vullnetarisht në Marok. Për rivendosjen e kontrollit kufitar, në Ceuta janë dërguar trupa shtesë të ushtrisë dhe policisë, shkruan Guardian.
Sánchez bëri të ditur se do të krijohet një qendër e përkohshme pritjeje, ku do të kryhen regjistrimi dhe identifikimi, si dhe do të përshpejtohen procedurat e dëbimit të atyre që nuk gëzojnë të drejtën ligjore për të qëndruar në Spanjë. Autoritetet planifikojnë gjithashtu të vendosin në det, pranë plazhit Tarajal, një barrierë me bova për ta bërë qartësisht të dallueshme vijën kufitare.
Kriza ka sjellë përplasje politike edhe brenda Bashkimit Evropian. Italia kërkoi që Spanja të pezullohej përkohësisht nga zona Schengen, me pretendimin se qasja e Madridit ndaj migracionit kishte nxitur trafikimin e emigrantëve. Qeveria spanjolle e hodhi poshtë me forcë këtë qëndrim.
Komisioni Evropian sqaroi se Ceuta dhe Melilla funksionojnë me një regjim të posaçëm brenda Schengenit, ndaj nuk ka rrezik që emigrantët të lëvizin lirshëm drejt pjesës tjetër të Evropës.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe kreu i shtetit francez, Emmanuel Macron, ndërkohë shprehën mbështetjen e tyre për Spanjën. Bashkimi Evropian ka thirrur gjithashtu takime urgjente për të bashkërenduar reagimin ndaj kësaj krize.
Autoritetet spanjolle e konsiderojnë ngjarjen një krizë të rëndë humanitare. Shumë prej viktimave u mbytën në det, kurse të tjerë vdiqën gjatë përplasjes në pikën kufitare të Tarajalit. Hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota vijojnë.
