Punonjësit shëndetësorë të angazhuar në luftën kundër shpërthimit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos kanë paralajmëruar se mund të largohen nga puna, pasi pretendojnë se nuk janë paguar prej muajsh.
Të lidhura
None found
Në Qendrën e Trajtimit të Ebolës në Elikya, në Bunia, infermierja Micheline Kayimpa kujdeset çdo ditë për pacientët e infektuar me një prej viruseve më vdekjeprurëse në botë.
Kayimpa shprehet se, krahas rrezikut të përhershëm për t’u infektuar, stafi po përballet edhe me mungesën e pagave. “Kam punuar këtu që nga qershori, por nuk kam marrë asnjë qindarkë rrogë”, ka thënë ajo, duke bërë të ditur se mund ta braktisë detyrën nëse problemi nuk zgjidhet.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Kongo tregojnë se shpërthimi aktual i Ebolës ka prekur mijëra njerëz dhe ka shkaktuar mbi një mijë viktima. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përshkruar këtë si një nga shpërthimet më të mëdha të raportuara në vend.
Situata në qendrën e Bunias është veçanërisht e vështirë, pasi kapacitetet janë të tejmbushura dhe stafi i pamjaftueshëm. Punonjësit thonë se në shumë raste vetëm disa infermierë duhet të kujdesen për një numër të madh pacientësh në gjendje të rëndë.
Ekipet mjekësore nuk janë përballur vetëm me kërcënimin e virusit. Ato kanë qenë gjithashtu objekt sulmesh nga komunitetet lokale, të ndikuara nga mosbesimi dhe informacionet e pasakta për sëmundjen.
Autoritetet kongoleze kanë pranuar se pagesat janë vonuar, duke shpjeguar se verifikimi i personelit dhe procedurat administrative kanë krijuar pengesa. Sipas tyre, punonjësit e regjistruar do t’i marrin pagesat.
Organizata Mjekët pa Kufij (MSF), e cila administron disa qendra për trajtimin e Ebolës, ka sqaruar se protestat kanë të bëjnë me kompensimet e dhëna nga qeveria dhe jo me pagesat e organizatës.
Punonjësit humanitarë paralajmërojnë se ndërprerja e punës në këtë fazë mund t’i krijojë virusit më shumë mundësi për t’u përhapur. Ata kërkojnë mbështetje, pajisje mbrojtëse dhe pagesa të rregullta për personelin që shërben në vijën e parë.
