Ulf Kristersson ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e kryeministrit të Suedisë, pasi përfundoi numërimi i votave të zgjedhjeve të përgjithshme dhe blloku i partive të qendrës së majtë siguroi një shumicë të ngushtë.
Të lidhura
None found
Ky vendim i hap rrugën lideres së Social Demokratëve, Magdalena Andersson, për të nisur negociatat lidhur me krijimin e qeverisë së ardhshme.
Rezultatet paraprake përfundimtare tregojnë se partitë e opozitës së majtë kanë fituar 176 mandate, ose tre më shumë se koalicioni qeverisës i krahut të djathtë, i njohur si koalicioni Tidö dhe i mbështetur nga Demokratët e Suedisë (SD).
Pas shpalljes së rezultatit, Andersson deklaroi se qytetarët suedezë “kanë votuar për një drejtim të ri për vendin, për unitet dhe kundër ndarjeve”.
Ajo përmendi klimën, arsimin, shëndetësinë, kujdesin ndaj të moshuarve dhe politikën e emigracionit si disa nga fushat kryesore ku do të përqendrohet.
Kristersson, i cili drejton Partinë e Moderuar, e bëri publik largimin e tij të enjten, pas katër vitesh në krye të qeverisë. Në letrën e dorëheqjes, ai sqaroi se përgjegjësia për drejtimin e procedurës së formimit të kabinetit të ri i kalon kryetarit të Parlamentit.
Duke e cilësuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve si “të komplikuar”, ai u kërkoi partive të tregojnë “hapje konstruktive” për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte krijimin e një qeverie të qëndrueshme.
Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlén, pritet të konsultohet me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike dhe më pas të propozojë emrin e kandidatit për kryeministër.
Zgjedhjet sollën edhe një ndryshim të rëndësishëm për Demokratët e Suedisë, partinë e djathtë që ka mbështetur qeverinë e drejtuar nga Kristersson.
Për herë të parë që nga themelimi, SD ka shënuar rënie të mbështetjes në një zgjedhje të përgjithshme, duke zbritur nga pozita e forcës së dytë më të madhe politike në vend në atë të së tretës.
Social Demokratët vazhdojnë të jenë partia më e madhe në Suedi, megjithëse rezultati i arritur prej tyre është më i dobëti në historinë e pjesëmarrjes së tyre elektorale.
Negociatat për formimin e kabinetit të ri pritet të jenë të vështira. Andersson ka ftuar në diskutimet e para Partinë e Majtë, Partinë e Qendrës dhe të Gjelbrit.
Një pengesë kryesore mund të jetë bashkëpunimi mes Partisë së Qendrës dhe Partisë së Majtë. Qendra nuk pranon mundësinë e një qeverisjeje të përbashkët me të Majtën, ndërsa kjo e fundit kërkon të përfshihet në qeveri si kusht për mbështetjen e saj.
Palët kanë qëndrime të ndryshme edhe për taksat, energjinë bërthamore dhe politikat ekonomike. Të Gjelbrit, Social Demokratët dhe Partia e Majtë kërkojnë rritje të taksave në disa sektorë, ndërsa Partia e Qendrës mbron uljen e tyre.
Andersson, e cila ka mbajtur postin e kryeministres nga nëntori 2021 deri në tetor 2022, pritet të kërkojë një marrëveshje të gjerë me një ose disa parti të opozitës. Në Suedi, edhe krijimi i një qeverie të pakicës konsiderohet një mundësi e njohur.
Social Demokratët pritet të synojnë rishikimin e politikave për emigracionin, integrimin dhe klimën, ndonëse gjatë viteve të fundit disa prej qëndrimeve të tyre kanë marrë një drejtim më të djathtë, veçanërisht sa i përket emigracionit dhe kriminalitetit.
