Një klient në një restorant në Turqi u përball me një situatë të rrezikshme kur një copë doner kebab i bllokoi rrugët e frymëmarrjes. Ndërhyrja e menjëhershme e pronarit të lokalit bëri të mundur shpëtimin e tij.
Rasti u regjistrua në Reyhanlı, në provincën Hatay, ndërsa gjithçka u dokumentua nga kamerat e sigurisë së restorantit.
Të lidhura
None found
Videoja tregon burrin të ulur në tavolinë së bashku me familjarët e tij. Në një moment, ai nis të ketë probleme me frymëmarrjen dhe gruaja, bashkë me fëmijët, përpiqet ta ndihmojë.
Teksa gjendja e klientit përkeqësohej, pronari Sami Sakin e kuptoi se bëhej fjalë për mbytje dhe iu afrua për t’i kryer manovrën Heimlich.
Pas disa tentativash, Sakin ia doli të zhbllokonte rrugët e frymëmarrjes, duke i mundësuar burrit të merrte përsëri frymë.
Sipas raportimeve të mediave turke, pronari kishte marrë njohuri për mënyrën e kryerjes së manovrës Heimlich që kur ishte në shkollë.
“Manovra Heimlich më erdhi menjëherë në mendje. Pas përpjekjes së tretë ose të katërt, arrita t’i liroja rrugët e frymëmarrjes dhe ai u kthye”, ka deklaruar Sakin, duke përshkruar momentin e shpëtimit.
Ngjarja u mbyll pa pasoja të rënda për klientin, ndërsa pamjet e kamerave kanë fiksuar çastet e tensionuara të ndërhyrjes.
