Kina kritikon Perëndimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Kina ka kritikuar Perëndimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke theksuar se nuk do të ndjekë të njejtin shembull. Ajo i cilësoi masat si jo-efektive në zgjidhjen e problemeve dhe tha se do të kundërshtojë gjithmonë sanksionet e paligjshme, shkruan CNN

Të martën, presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të sanksionojnë institucionet financiare dhe oligarkët e Rusisë pasi udhëheqësi rus Vladimir Putin urdhëroi vendosjen e trupave në zonat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Europian, Kanadaja, Australia dhe Japonia gjithashtu njoftuan sanksione të reja ndaj Rusisë.

Kur u pyet në konferencën e përditshme të Ministrisë së Jashtme nëse Kina do të ndiqte të njejtin shembull, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying u përgjigj duke thënë: “Padyshim që ju mungon baza e të kuptuarit të politikës së qeverisë kineze”.

Në përgjigjen e saj, Hua pyeti se çfarë është arritur nga sanksionet e mëparshme të vendosura nga SHBA-ja ndaj Rusisë.

“A është zgjidhur problemi?

A është bërë bota më e mirë për shkak të sanksioneve të SHBA-së?

A do të zgjidhen problemet e Ukrainës me vendosjen të sanksioneve të SHBA-së kundër Rusisë?

A do të jetë më e sigurt Europa si rezultat i sanksioneve të SHBA-së kundër Rusisë?

Unë mendoj se ne duhet të përpiqemi ta zgjidhim problemin përmes dialogut dhe negociatave, përfundoi ministrja e jashtme./abcnews.al


Shtuar 23.02.2022 12:10