Një valë e fuqishme sulmesh ruse me raketa dhe dronë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Kiev, duke prekur infrastrukturën kritike dhe duke ndërprerë përkohësisht qarkullimin në një prej urave më të rëndësishme të kryeqytetit ukrainas.
Të lidhura
None found
Gjatë sulmeve të natës, një ndërtesë banimi u godit dhe një person humbi jetën, njoftoi shërbimi ukrainas i emergjencave.
Situatën në kryeqytet kryebashkiaku Vitaliy Klitschko e cilësoi “shumë dramatike”. Ai tha se goditjet kanë dëmtuar infrastrukturën kritike, logjistikën, objektet e banimit dhe struktura të tjera me rëndësi për qytetin.
Ura Pivdenny, e cila lidh pjesë të Kievit përmes lumit Dnieper dhe përbën një nga korridoret kryesore të transportit, është sulmuar disa herë gjatë dy ditëve të fundit. Autoritetet bëjnë të ditur se vetëm të premten ura u godit sërish nga një dron, duke e çuar në katër numrin e sulmeve ndaj saj brenda 48 orëve.
Si masë sigurie, është ndalur lëvizja e trenave të metrosë dhe e automjeteve mbi urë. Kufizime të ngjashme janë aplikuar edhe në dy ura të tjera kryesore, çka ka sjellë trafik të rënduar në disa zona të Kievit.
Kryeqyteti ukrainas ka rreth tre milionë banorë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre e përdor metronë si mjet kryesor për udhëtimet e përditshme.
Pas goditjeve, këshilli i mbrojtjes së Kievit thirri një mbledhje urgjente, ku morën pjesë përfaqësues të ushtrisë, strukturave të sigurisë, shërbimeve të emergjencës dhe policisë.
“Po flasim për mbijetesë”, deklaroi Klitschko në këtë takim. Ai akuzoi Rusinë se po synon të përhapë panik dhe të paralizojë jetën normale në kryeqytet.
Kryebashkiaku shtoi se Kievi do të vijojë përballimin e situatës përmes bashkëpunimit mes institucioneve dhe banorëve të qytetit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia po përpiqet të godasë një numër të gjerë sektorësh të infrastrukturës në Ukrainë.
Në një pjesë të një interviste për Financial Times, Zelensky përmendi si objektiva ura, qendrat e të dhënave, shërbimet e internetit, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat dhe universitetet.
Sipas presidentit ukrainas, synimi i këtyre sulmeve është krijimi i kushteve që banorët të detyrohen të largohen nga qytetet e tyre.
