Kavajë/Policia parandaloi një ngjarje të rëndë kriminale pas ndërhyrjes në kohë dhe informacionit të siguruar në rrugë operative.
Të lidhura
None found
47-vjeçari M. N., banues në Kavajë, u arrestua në flagrancë pasi po udhëtonte drejt një hoteli në zonën e Malit të Robit, Golem, me synimin për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij, 18-vjeçarin G. N.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte, në një çantë shpine u gjetën një armë zjarri automatik kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Ngjarja nisi pas një konflikti në një hotel, ku shtetasit F. H., A. F., E. D. dhe M. M. dyshohet se dhunuan G. N., 18 vjeç, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit. Shkak dyshohet të jetë bërë mospagimi i parave për punën e kryer. I riu ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Stacionit të Policisë Golem shkuan menjëherë në hotel pas njoftimit për konfliktin, duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ndërsa policia po kryente veprimet e para hetimore, mori informacion se xhaxhai i 18-vjeçarit, M. N., 47 vjeç, ishte nisur i armatosur drejt hotelit për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin.
Automjeti i 47-vjeçarit u ndalua nga policia pranë hotelit, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestruan arma e zjarrit, 3 karikatorët dhe 84 fishekët luftarakë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se vendi ku kishte ndodhur konflikti ishte pastruar. Po ashtu, ishte hequr DVR-ja e kamerave të sigurisë dhe ishin prerë kabllot përkatëse.
Pas veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç, banues në Kavajë. Për shtetasin A. F., 36 vjeç, u vendos masa e kërkimit, ndërsa shtetasi M. M., 36 vjeç, banues në Kavajë, u procedua në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi gjithashtu edhe M. N., 47 vjeç, banues në Kavajë.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
