Zëvendës-Presidentja e SHBA, Kamala Harris ka përmendur dje vullnetin për të përdorur armën nëse një i huaj i hyn në shtëpi.
“Nëse dikush më hyn në shtëpi, ata do të qëllohen,” tha ajo në dukje me shaka gjatë një eventi në Michigan duke folur me prezantuesen.
Pas një nënqeshjeje, kandidatja demokrate presidenciale shtoi: “Ndoshta nuk duhet ta kisha thënë këtë, por do të merrem me stafin për ta riparuar”.
Harris ka përmendur edhe më herët gjatë debatit presidencial është zotëruese arme zjarri, por është në favor të ndalimit të ‘armëve të sulmit’.
Kundërshtarët e saj Harris e akuzojnë se ajo po ndryshon qëndrim për armët e zjarrit para zgjedhjeve të nëntorit.
Dje ajo theksonte mbështetjen për ndalimin e armëve të sulmit teksa një javë më parë rrjeti ABC News tha se demokratja ishte tërhequr nga nisma për të riblerë automatikët AR-15 apo armë të tjera sulmi nga pronarët e tyre, që gjithsesi refuzojnë të heqin dorë nga e drejta e tyre e parashikuar nga kushtetuta e vendit.
“Kemi bërë një program për riblerjen e armëve të sulmit nga zotëruesit e ligjshëm, unë e mbështes riblerjen e detyruar të automatikëve”, kishte thënë ajo në tetor 2019, shkruan rrjeti BBC.
Megjithatë Harris tha dje se mbështet amendamentin e dytë të kushtetutës së SHBA që mbron të drjetën e zotërimit të armës së mbrojtjes nga qytetaret e SHBA.
Në eventin e djeshëm ajo foli gjithashtu për Konventën Demokrate dhe çështjet problematike si emigracioni dhe ekonomia.
Më herët në debatin me Trump, Harris mohonte pretendimin se kërkonte të konfiskonte çdo armë zjarri nëse zgjidhej në Shtëpinë e Bardhë, duke argumentuar se si ajo dhe bashkë-kandidues i saj Tim Walz, nje entuziast gjuetie, zotërojnë armë zjarri.
Trump, gjithashtu ka thënë se ka tre pistoleta, edhe pse është detyruar të dorëzojë dy prej tyre pas përballjes me gjykatën ne New York, shkruan BBC.