Jo vetëm Ukraina: BE e shqetësuar nga mundësia e një konflikti të ri Kosovë-Serbi

Nga Francesco De Palo “Formiche.net”

Përveç Ukrainës, Evropa ka edhe një problem serioz në Ballkan. Paralajmërimi vjen nga drejtor i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s Alessandro Politi gjatë një interviste për “Formiche.net”.

Në Kosovë ka pasur dorëheqje të gjithë personelit serb. Deputetë, gjyqtarë, policë, janë larguar tashmë nga postet e tyre. Dhjetë mijë njerëz protestuan në rrugët e Mitrovicës duke brohoritur “Ne jemi serbë”.

Në rastin konkret mosmarrëveshja lidhet me çështjen e targave të veturave, e cila e ka thelluar jo pak antagonizmin serbo-kosovar. Por ajo që është duke u përkeqësuar është nga njëra anë refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, dhe nga ana tjetër presioni i jashtëm nga Rusia dhe Kina për të krijuar tensione me BE-në dhe NATO-n.

Duhet theksuar se i vetmi institucion që vazhdon të merret vazhdimisht me Ballkanin është Fondacioni i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s.

A rrezikohet projekti i zgjerimit evropian nga kriza Serbi-Kosovë?

Si zakonisht, rusët janë specialistë në krijimin e kaosit me kosto të ulët në Ballkan. Edhe pse vështirë se do të shkelin sërish atje, pasi kanë kohë që janë jashtë loje. Megjithatë ata përdorin të gjitha mundësitë që kanë në dorë për të krijuar probleme, si për Evropën ashtu edhe për NATO-n.

Prania e KFOR-it, mision që e njoh mirë, shërben pikërisht që gjërat të mos shkojnë keq dhe për t’u kujdesur për sigurinë e Kosovës, nëse këtë nuk arrin të garantojë dot policia vendase. Në realitet, problemet më të mëdha janë në veri, ku serbët po ndërtojnë barrikadat dhe bllokojnë rrugët.

Me pak fjalë, situata atje është aq e tensionuar saqë nuk përjashtohet përdorimi i armëve të zjarrit nga serbët e Kosovës. Në fakt, askush nuk dëshiron të përdorë armët, pasi kjo do të rikthente trazirat shumë të rënda të vitit 2004.

Sa ndikon në këtë situatë mosnjohja e pavarësinë Kosovës nga Serbia?

Kosova nuk ka ende 2/3 e votave të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që e njohin si shtet, dhe serbët, rusët dhe kinezët po bëjnë një fushatë në drejtimin e kundërtën.

Çfarë po bën KFOR-i?

Misioni po punon shumë për të parandaluar incidentet më të rënda, gjë që është shumë më tepër sesa ajo që amerikanët e quajnë parandalim. Italianë po japin një kontribut shumë të mirë pasi udhëhiqen nga gjenerali Ristuccia, që di se si të veprojë, sepse vjen nga një vend i ndërlikuar politikisht, dhe gëzon një mbështetje politike të madhe.

Bashkëpunimi ushtarak me serbët funksionon shumë mirë në nivelin profesional. Pra nuk ka pasur ndonjë shkelje kufiri. Madje ka pasur edhe një zonë të çmilitarizuar, në të cilën KFOR-i mund të shkojë deri në një pikë të caktuar. Pra e gjitha duket si një linjë midis palëve e zhvilluar në një mënyrë jashtëzakonisht të përgjegjshme.

Askush nuk dëshiron që të krijojë tensione me serbët. Kur serbët tregojnë muskujt, ata e dinë shumë mirë se janë 4 vende të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, për shkak se kanë probleme të brendshme, kufitare dhe minoritetesh. Spanja është një shembull klasik, po ashtu Greqia, Sllovakia dhe Rumania.

Pra ekzistojnë elementë që nuk i lejojnë këto 4 shtete të njohin Kosovën, dhe për rrjedhojë të ketë ndonjë bashkëpunim të thellë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës, NATO-s dhe institucioneve të Prishtinës.

Problemi i targave është vetëm një shans për të rritur tensionet?

Është një problem i vjetër, të paktën që para vitit 2016. Është e dukshme që çështja e targave nuk është thjesht simbolike. Ka të bëjë me sovranitetit, pra mënyrën sesi kosovarët duan t’i kontrollojnë sa më mirë pikat kufitare. Ashtu siç ka ndodhur me integrimin e serbëve në radhët e policisë së Kosovës, duhet të ndodhë edhe me targat.

Të gjitha partitë e tjera serbe alternative janë mundur në zgjedhje, dhe liderët e tyre politikë janë vrarë. Aktualisht rreth 20 serbë të  Kosovës i kanë ndërruar targat, dhe makinat e 3 prej tyre janë djegur në mënyrë mafioze.

Forca e Sigurisë së Kosovës donte që të shtonte numrin e serbëve të Kosovës në këtë strukturë, për të treguar se ajo ishte një forcë e vërtetë e sigurisë kombëtare. Por në një moment, dikush hodhi një granatë në kopshtin e njërit prej këtyre ushtarëve. Askush nuk vdiq, por paralajmërimi është i rëndë.

Përveç importit të ushqimeve, cili është thelbi i rregullores së re të tarifave doganore?

Në fakt për ushqimet, ngarkesat me grurë, dhe miellin për biskota nuk ka ndonjë problem sepse vijnë rregullisht nga veriu, pra nga Serbia. Por Kosova ka një ekonomi më krizë, madje më shumë se sa Serbia, dhe që të dy janë vende të paqëndrueshme.

Ndërkohë bashkëpunimi midis 2 mafieve kryesore në Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut, pra asaj serbe dhe shqiptare, është i përsosur. Dhe prezenca e kësaj mafie është e mirë-dokumentuar nga qeveria serbe. Problemi është se për të zbaruar marrëveshjet për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, institucionet e Prishtinës duhet të njohin formimin e një komuniteti apo asosacioni të komunave serbe.

Dhe nga ky këndvështrim institucionet e Prishtinës nuk duan të na dëgjojnë, sepse në realitet 4 komunat më të mëdha ndodhen vetëm në veri, dhe pjesa tjetër janë 6 komuna më të vogla me një pakicë serbësh. Dhe jo vetëm kaq.

Kjo do të thotë?

Trazirat e vitit 2004, shkaktuan largimin e shumë serbë që jetonin në jug. Madje në atë kohë pati një transferim të detyruar të tokës. Segmente të institucioneve kosovare besojnë se Serbia është një vend që ndërhyn në punët e saj të brendshme. Unë do të shtoja se në Kosovë të rinjtë përfaqësojnë 50 për qind të popullsisë, e cila do që të udhëtojë dhe emigrojë jashtë vendit.

Është e qartë se i gjithë Ballkani, nuk duhet të pranohet pa kushte, por nga ana tjetër nuk duhet të frenohet më në këtë proces. Të mos harrojmë se Ukraina është në aspektin ekonomik gati e pariparueshme. Ndaj është më e lehtë të rimëkëmbet Ballkani, edhe nëse ka probleme të mëdha, sepse kjo është një shenjë e së ardhmes edhe për Kievin.

Përveç Serbisë dhe Kosovës, ekziston një front tjetër jetik, ndoshta më i heshtur, por jo më pak serioz: Bosnje Hercegovina. 

Pak ditë më parë, Komisioni Evropian i propozoi Këshillit Evropian dhënien e statusit të kandidatit për këtë vend, pas zgjidhjes së një sërë çështjesh të rëndësishme.

Dy problemet kryesore janë konfliktet e brendshme dhe presioni nga Moska. Si mund të zgjidhet ato?

Unë mendoj se rusët kanë luajtur gjithmonë në të gjitha sferat për të shkaktuar probleme në Ballkan. Dhe duke qenë se nuk kushton shumë të krijosh probleme në këtë rajon, ata e bëjnë sa herë që kanë interes. Rrjetet e leverdisë dhe bashkë-interesit të shumë njerëzve në rajon me rusët janë shumë të gjera, gjë që nuk do të thotë që ata janë thjeshte një lloj gogoli.

Në fund ata arrijnë të krijojnë disa probleme, por nëse nuk ka një terren pjellor, ata nuk do të shkojnë askund. Serbët vazhdojnë me politiken e tyre me 2 porta. Ata deklarohen neutralë dhe mund të marrin pjesë në një stërvitje të NATO-s. Rusët dhe serbët e dinë shumë mirë se janë inferiorë ndaj aleancës.

Unë mbaj mend që pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhënia Tito-Stalin ishte një marrëdhënie shumë e ruajtur deri sa pati një ndërprerje. Legjenda thotë se Stalini kishte një mesazh në tryezën e tij nga Tito që thoshte: “Nëse nuk ndalon së dërguari vrasës për të më eliminuar mua, edhe unë do t’ju dërgoj një tillë dhe ai do t’iu vrasë për një sekondë!”.

/albeu.com


Shtuar 10.11.2022 10:28