Izraeli zotohet se do të hakmerret për sulmin e rebelëve huthi

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se shteti i tij do të hakmerret ndaj sulmit me raketë që goditi pjesën qendrore të Izraelit.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi rebelët huthi, një grup nga Jemeni që gëzon përkrahjen e Iranit, morën përgjegjësinë për sulmin, i cili nuk pati pasoja tek banorët e zonës, ndërkohë që konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vazhdon të zgjerohet.
Ky zjarr në afërsi të Modiinit, në pjesën qendrore të Izraelit, u shkaktua nga sulmi i rebelëve huthi në Jemen, një grup i lidhur me Iranin, që goditi Izraelin me raketë balistike hipersonike nga një distancë prej 2040 kilometrash.

Zëdhënësi i rebelëve huthi, Jahja Saree paralajmëroi sulme të tjera.

“Armiku izraelit të përgatitet për sulme të reja ndërsa i afrohemi përvjetorit të parë të operacionit të bekuar të tetorit. Ato përfshijnë operacione për përkrahje të vazhdueshme për palestinezët e shtypur”, deklaroi ai.

Ai iu referua sulmit terrorist të 7 tetorit të kryer nga Hamasi gjatë të cilit grupi militant vrau 1,200 persona në Izrael dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë.

Dhjetëra mijëra palestinezë janë vrarë gjatë kundër-ofensivës së Izraelit në Gazë.

Izraelit njoftoi se nuk kishte të lënduar nga sulmi me raketë i fundjavës, por Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të hakmerrej gjatë takimit të kabinetit të tij.

“Jemi në një fushatë me shumë fronte kundër boshtit të së keqes… Deri më tani ata do të duhej ta kuptonin që do të paguajnë një çmim të ashpër për secilën përpjekje për të na dëmtuar… Hamasi tashmë po e kupton nga veprimet tona, që do të çojnë në shkatërrimin e tij dhe lirimin e pengjeve tona”, tha ai.

Përkundër zotimit të tij për të siguruar lirimin e pengjeve, shumë izraelitë thonë se kryeministri Netanyahu nuk po bën sa duhet.

“Ai nuk mërzitet nëse ata vdesin. Atij nuk i bëhet vonë për asgjë. Atij i intereson vetëm të vazhdojë të sundojë dhe në fakt as këtë nuk po e bën.

Ai nuk po menaxhon asgjë në Izrael. Izraeli është në anarki të plotë”, tha protestuesi Israel Charag.

Demonstratat kundër qeverisë së zotit Netanyahu nuk paraqesin risi në Izrael.

Por këto protesta masive kanë marrë hov javëve të fundit, pasi ushtria gjeti trupat e gjashtë pengjeve në Gazë.

Izraeli dhe Hamasi, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste, vazhdojnë të fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një armëpushimi që do të përfshinte lirimin e personave që vazhdojnë të mbahen peng./VOA


Shtuar 16.09.2024 16:18

Tags: ,