Izraeli vonon miratimin e armëpushimit, Blinken: Proces normal në një negociatë të vështirë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka komentuar mbi vonesën e Izraelit për të miratuar armëpushimin e arritur një ditë më parë. Ai u shpreh i bindur se marrëveshja për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve do të hyjë në fuqi të dielën, pavarësisht vonesave në votimin e kabinetit izraelit, raportoi CNN.

“Në një proces kaq kompleks dhe të ndërlikuar, është e pritshme që të ketë pengesa të minutës së fundit. Ne po punojmë për t’i kapërcyer ato,” deklaroi Blinken në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se ka qenë në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, si dhe me zyrtarë nga Katari, duke theksuar se është optimist për ecurinë e marrëveshjes dhe zbatimin e saj të dielën.

Ndërkohë, Izraeli ka shtyrë votimin për armëpushimin dhe lirimin e pengjeve, duke akuzuar Hamasin se po refuzon disa elemente të marrëveshjes.


Shtuar 16.01.2025 20:01