Dhjetëra protestues bllokuan rrugën ”Ibn Gvirol” në Tel Aviv, që përkon me grevën e përgjithshme në vend, duke kërkuar nga qeveria të arrijë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, mes zemërimit të gjerë publik mbi trajtimin e luftës nga qeveria.
Protestuesit gjithashtu u mblodhën në kryqëzimin ‘Shilat’, afër Modi’in, dhe bllokuan një rrugë në qytetin verior të Rosh Pina”, raporton ”Times of Israel”.
”Histadrut”, një nga sindikatat më të fuqishme në vend njoftoi një grevë njëditore, e cila filloi mëngjesin e sotëm në orën 06:00.
Zyrat qeveritare dhe bashkiake do të qëndrojnë të mbyllura. Po ashtu edhe shkollat dhe shumë biznese private.
Aeroporti ndërkombëtar ”Ben Gurion” gjithashtu do të mbetet i mbyllur për një periudhë të pacaktuar.
Të paktën 30 arrestime në Tel Aviv, pesë në Jerusalem dhe disa të plagosur janë numri i fundit nga demonstrata e madhe e djeshme në Izrael, e thirrur nga familjet e të rrëmbyerve nga Hamasi.
Autostrada ”Ayalon” e Tel Avivit u lirua nga protestuesit pasi u bllokua për rreth tre orë. Disa protestues hodhën objekte në rrugë, ndezën zjarre dhe hodhën fishekzjarrë në ajër.
Si kundërpërgjigje, policia thuhet se hodhi të paktën katër granata tymuese duke plagosur lehtë disa persona, mes tyre edhe deputeten demokrate, Naama Lazimi.