Ish-shefja diplomacisë amerikane, kundër Trumpit: Koha nuk është në anën e Ukrainës, ja çfarë duhet të bëjë me urgjencë Perëndimi

Nga Condoleezza Rice & Robert M.Gates “Washington Post

Përktheu: Alket Goce-albeu.com

Kur flitet për luftën në Ukrainë, e vetmja gjë që është e sigurt tani për tani është se luftimet dhe shkatërrimet do të vazhdojnë. Vladimir Putin mbetet tërësisht i përkushtuar për ta rikthyer të gjithë Ukrainën nën kontrollin e Rusisë ose në rast se dështon për ta shkatërruar atë si vend.

Ai beson se është fati që ia ka caktuar historia – misioni i tij Mesianik – që të rindërtojë Perandorinë Ruse dhe siç deklaroi vite më parë Zbigniew Brzezinski, nuk mund të ketë Perandori Ruse pa Ukrainën. Që të dy jemi marrë me Putinin në një sërë rastesh, dhe jemi të bindur se ai beson se koha është në anën e tij.

Se ai mund t’i lodhë ukrainasit, dhe se uniteti dhe mbështetja e SHBA-ve dhe evropianëve për Ukrainën në fund do të dobësohen dhe thyhen. Sigurisht, ekonomia dhe qytetarët rusë do të vuajnë teksa vazhdon lufta në Ukrainë, por përgjatë historisë së tyre të trazuar rusët kanë duruar shumë më keq se kaq.

Për Putinin, humbja nuk është një opsion. Ai nuk mund t’ia kthejë Ukrainës 4 provincat lindore që i ka shpallur tashmë si pjesë të Rusisë. Në rast se ai nuk do të mundet të jetë i suksesshëm ushtarakisht këtë vit, duhet të mbajë të paktën kontrollin e pozicioneve në Ukrainën Lindore dhe Jugore, të cilat mund të jenë një trampolinë për një sulm të ri në të ardhmen për të marrë pjesën tjetër të bregut të Detit të Zi të Ukrainës, për të kontrolluar të gjithë rajonin e Donbasit dhe më pas për t’u zhvendosur drejt Perëndimit.

Tetë vite e ndanë pushtimin e Krimesë nga Rusia dhe pushtimin e saj që nisi gati 1 vit më parë. Putini do të tregohet shumë i durueshëm për të synimet e tij. Ndërkohë, megjithëse përgjigja e Ukrainës ndaj pushtimit ka qenë heroike dhe ushtria e saj ka performuar shkëlqyeshëm, ekonomia e vendit po rrënohet çdo ditë e më shumë.

Miliona ukrainas janë larguar, infrastruktura e Ukrainës po shkatërrohet, dhe një pjesë e mirë e pasurisë së saj minerale, kapaciteti industrial dhe toka bujqësore janë tanimë

nën kontrollin e Rusisë. Aftësia ushtarake dhe ekonomia e Ukrainës janë aktualisht të varura pothuajse tërësisht nga linjat e furnizimit nga Perëndimi, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.

Në mungesë të një përparimi dhe suksesi tjetër të madh të ushtrisë ukrainase kundër forcave ruse, presionet perëndimore ndaj Ukrainës për të negociuar një armëpushim do të rriten me kalimin e muajve të ngërçit ushtarak. Në rrethanat aktuale, çdo armëpushim i negociuar do t’i linte forcat ruse në një pozicion të fortë për të rifilluar pushtimin e tyre sa herë që të jenë gati.

Dhe kjo është e papranueshme. Mënyra e vetme për të shmangur një skenar të tillë është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj t’i ofrojnë urgjentisht Ukrainës një rritje dramatike të furnizimeve dhe aftësive ushtarake, që të jenë të mjaftueshme për të penguar një ofensivë të ripërtërirë ruse dhe për t’i dhënë mundësi Ukrainës të sprapsë forcat ruse në lindje dhe jug.

Kongresi i SHBA ka siguruar para të mjaftueshme për një përforcim të tillë. Ajo që nevojitet tani janë vendimet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për t’u siguruar ukrainasve pajisjet shtesë ushtarake që u nevojiten. Mbi të gjitha forca të blinduara të lëvizshme. Marrëveshja e së enjtes së javës së kaluar për të dërguar në Ukrainë automjete luftarake “Bradley” është e lavdërueshme, edhe pse e vonuar. Por për shkak të sfidave serioze logjistike që lidhen me dërgimin e tankeve të rënda amerikane “Abrams”, Gjermania dhe aleatët e tjerë duhet të plotësojnë nevojat e ukrainasve me automjete të blinduara.

Ndërkohë anëtarët e NATO-s duhet t’u dërgojnë ukrainasve raketa me rreze më të gjatë veprimi, dronë të avancuar, rezerva të konsiderueshme municionesh (përfshirë predha artilerie), më shumë aftësi zbulimi dhe vëzhgimi, si dhe pajisje të tjera. Këto aftësi nevojiten brenda disa javësh, dhe jo pas disa muajsh.

Gjithnjë e më shumë, anëtarët e Kongresit dhe të tjerë në diskursin tonë publik pyesin: “E pse duhet të na interesojë? Kjo nuk është lufta jonë”. Por Shtetet e Bashkuara e kanë mësuar leksionin e hidhur – në vitet 1914, 1941 dhe 2001 – se nuk mund të injorohet agresioni i paprovokuar dhe sulmet ndaj shtetit të së drejtës dhe rendit ndërkombëtar.

Në të tria rastet u kërcënua siguria jonë dhe ne u futëm në konflikt. Këtë herë, ekonomitë e botës – përfshirë tonën – po vuajnë tashmë pasojat e inflacionit të lartë dhe ecurinë e dobët ekonomike të shkaktuar pikërisht nga agresioni i Vladimir Putinit.

Është më mirë ta ndalojmë tani, përpara se të kërkohet më shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO në tërësi. Ne kemi një partner të vendosur tek Ukraina, e cila është e gatshme të përballojë pasojat e luftës, në mënyrë që të mos duhet ta na duhet ta bëjmë këtë vetë në të ardhmen.

Fjalimi i Presidentit Volodymyr Zelensky para Kongresit të SHBA-së muajin e kaluar na kujtoi lutjen e Winston Churchill në shkurtin e vitit 1941: “Na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën!” Ne pajtohemi me vendosmërinë e administratës së Joe Biden për të shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë me Rusinë.

Megjithatë, një Putin i inkurajuar mund të mos na e japë këtë zgjedhje. Mënyra për të shmangur konfrontimin me Rusinë në të ardhmen, është ta ndihmojmë Ukrainën që ta dëbojë tani pushtuesin. Ky është mësimi i historisë që duhet të na udhëheqë, dhe që i jep urgjencë veprimeve që duhen ndërmarrë para se të jetë tepër vonë.

Shënim:Condoleezza Rice, Sekretare Shteti e SHBA-së në vitet 2005-2009. Robert M. Gates, Sekretar i Mbrojtjes në vitet 2006-2011.


Shtuar 9.01.2023 09:53