Qytetarët iranianë kanë filluar votimin të premten herët në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, në të cilat katër kandidatë garojnë për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit para më shumë së një muaji.
Kandidatët, përfshirë një reformist të vetëm, janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.
Fituesi mund të luajë rol kyç në zgjedhjen e pasuesit të liderit suprem në moshë të shkuar, Ayatollah Ali Khamenei, në një kohë kur zemërimi është i madh në Iran për shkak të mungesës së lirisë, kushteve të këqija të jetës dhe ekonomisë së dobët.
Analistët e kanë cilësuar këtë si një garë mes tre kandidatëve.
Dy konservatorë të krahut të ashpër, ish-negociatori për çështje bërthamore Saeed Jalili, dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf.
Si dhe reformisti Masoud Pezeshkian, i cili është rreshtuar përkrah atyre që kërkojnë kthimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 më fuqitë botërore.
Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.
Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
Në tri palë zgjedhjet e fundit të mëdha në Iran – vend me rreth 88 milionë banorë – kishte pjesëmarrje rekorde të ulët.
Pjesëmarrja zyrtare në zgjedhjet parlamentare të marsit ishte rreth 41 për qind, megjithëse kritikët thanë se numri real ishte edhe më i ulët.
Ekspertët thonë se rënia e pjesëmarrjes nënkupton hendek në rritje midis klerikëve në pushtet dhe popullsisë së re të Iranit – pjesa më e madhe e së cilës kërkon liri më të mëdha sociale dhe politike.
“Unë dyshoj se shoqëria do të kthehet në kutitë e votimit. Besoj se trendi i shmangies së tyre do të vazhdojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Mohebi, komentues politik me bazë në Iran./REL