Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin ndaj Teheranit, pasi vendosën masa të reja ndëshkuese ndaj afro 60 subjekteve, individëve dhe anijeve. Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se opsioni ushtarak kundër Iranit mbetet në tryezë.
Të lidhura
None found
Hegseth tha se Uashingtoni nuk përjashton sulmet në Ngushticën e Hormuzit apo në zona përreth Iranit. Sipas tij, presioni ekonomik i ushtruar ndaj Teheranit do të jetë i pamundur për t’u përballuar nga ky i fundit.
“Në asnjë mënyrë nuk e përjashtojmë mundësinë e sulmeve ushtarake në Ngushticën e Hormuzit apo rreth Iranit. Irani nuk do të jetë në gjendje t’i përballojë presionet ekonomike që po ushtrohen ndaj tij”, deklaroi Pete Hegseth, Sekretar i Mbrojtjes së SHBA.
Megjithatë, në Teheran masat amerikane nuk duket se kanë shkaktuar shqetësim. Ministri i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se vendi është “plotësisht i përgatitur” për planin ekonomik të Trumpit, të cilin e përshkroi si një përpjekje që do të përfundojë me “një tjetër humbje” për Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për televizionin shtetëror, Madanizadeh theksoi se qeveria iraniane ka hartuar një plan dyvjeçar për t’i menaxhuar këto zhvillime dhe se e kishte parashikuar prej kohësh një situatë të tillë.
“Qeveria jonë është dhe ka qenë e përgatitur, dhe ka një plan dyvjeçar për menaxhimin e këtyre zhvillimeve”, u shpreh ministri. Ai shtoi se as Kina dhe as Rusia nuk i kanë pranuar sanksionet amerikane, ndërsa parashikoi që edhe shtete të tjera do t’u bëjnë rezistencë.
“Edhe ne kemi mjetet tona dhe dimë se si të luajmë këtë lojë”, përfundoi ai.
