Libani pritet të jetë në fokus të takimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, teksa përplasja mes Izraelit dhe Hezbollahut do të zërë vendin kryesor në diskutime. Kështu është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei.
Ai deklaroi se gjatë negociatave që po zhvillohen sot, një nga temat qendrore do të jetë gjendja në Liban, për të cilën Teherani pretendon se Izraeli nuk i ka zbatuar angazhimet e marra. “Regjimi sionist vazhdon të shkelë angazhimet në Liban, kjo çështje do të jetë tema kryesore e diskutimit”, citohet të ketë thënë Baqaei nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.
Të lidhura
None found
Krahas zhvillimeve në Liban, pala iraniane pritet të shtrojë në tryezë edhe tema me natyrë ekonomike. Në mesin e tyre përmenden zhbllokimi i aseteve iraniane të ngrira, si edhe mundësia për të dhënë leje për shitjen e naftës iraniane.
Ndërkohë, për Uashingtonin, objektivi kryesor i këtyre bisedimeve ka qenë adresimi i programit bërthamor të Iranit.
Sidoqoftë, në deklaratën e zëdhënësit iranian kjo çështje nuk u përmend, çka lë të kuptohet se të dyja palët mund të hyjnë në bisedime me përparësi të ndryshme.
