Opinioni publik në Iran është tronditur nga një prej dosjeve më të rënda të vrasjeve seriale në vend.
Të lidhura
None found
Kolshoum Akbari, të cilën mediat iraniane e kanë pagëzuar “Vejusha e Zezë”, është shpallur fajtore për vrasjen me dashje të 11 burrave të moshuar, si dhe për një tjetër vrasje të mbetur në tentativë. Ajo është dënuar me vdekje.
Hetimet tregojnë se veprimtaria e saj e dyshuar kriminale është shtrirë në më shumë se 20 vjet, nga fillimi i viteve 2000 deri në arrestimin e saj gjatë vitit 2023.
Në shënjestër të Akbarit përfundonin kryesisht burra në moshë të thyer. Shumë prej tyre ishin të ve ose jetonin vetëm, pa familjarë të afërt pranë. Dyshohet se ajo krijonte fillimisht një marrëdhënie besimi me ta, më pas martohej dhe, pak kohë më vonë, i helmonte.
Akbari ka pranuar të paktën 11 vrasje, por gjatë marrjes në pyetje raportohet se ka sugjeruar se viktimat mund të kenë qenë edhe më shumë.
“Nuk e di sa njerëz vrava. Ndoshta ishin 13 ose 15 persona. Nuk mbaj mend saktësisht”, citohet të ketë deklaruar ajo.
Autoritetet iraniane thonë se për helmimet ajo përdorte një përzierje substancash të ndryshme, mes të cilave qetësues, medikamente kundër diabetit, alkool industrial dhe preparate të tjera.
Dyshohet se viktimat i merrnin këto substanca drejtpërdrejt prej saj ose përmes ushqimeve dhe pijeve ku ajo i kishte hedhur, përfshirë supën dhe çajin.
Pasi konsumonin përzierjet, burrat pësonin simptoma të rënda, si të përziera, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje të vetëdijes.
Për shkak të moshës së madhe dhe problemeve shëndetësore që shumë prej viktimave kishin më parë, përkeqësimi i gjendjes së tyre lidhej shpesh me sëmundjet ekzistuese ose me moshën.
Disa prej tyre u shtruan në spitale dhe morën trajtim për diabetin apo problemet e zemrës. Kur ndërruan jetë, si mjekët ashtu edhe familjarët menduan se vdekjet kishin ardhur nga shkaqe natyrore.
Dyshohet se Akbari arriti të qëndronte jashtë vëmendjes së autoriteteve për një kohë të gjatë edhe për faktin se burrat që humbën jetën banonin në qytete të ndryshme.
Dyshimet e para serioze u ngritën në vitin 2023, pas vdekjes së bashkëshortit të saj të fundit, i cili ishte 82 vjeç.
Përpara se të vdiste, 82-vjeçari u kishte thënë fëmijëve se Akbari e detyronte të konsumonte ilaçe për tensionin e gjakut dhe zemrën. Sipas tij, pas marrjes së tyre ai humbiste vazhdimisht ndjenjat.
Familjarët kërkuan ndërhyrjen e policisë dhe hapjen e një hetimi menjëherë pas vdekjes së tij.
Në shtator 2023, Akbari u vu në pranga. Gjatë verifikimeve të mëtejshme, hetuesit konstatuan se ajo kishte pasur martesa edhe me disa burra të tjerë dhe se, në shumë prej rasteve, bashkëshortët kishin vdekur pas martesës.
Autoritetet përfshinë në hetim edhe vdekje të regjistruara vite më parë. U kryen zhvarrime dhe analiza të reja toksikologjike, ndërsa para gjykatës dhanë dëshmi edhe mjekë që fillimisht i kishin cilësuar këto vdekje si natyrore.
Në qendër të dosjes është edhe përdorimi i “sigheh”, një lloj martese e përkohshme që njihet nga legjislacioni shiit në Iran.
Sipas hetuesve, Akbari dyshohet se përmes këtij institucioni siguronte hyrje në shtëpitë e të moshuarve, në jetën e tyre private dhe në financat që zotëronin.
Ajo dyshohet se kishte bindur disa nga burrat t’i kalonin automjete ose prona sa ishin ende gjallë. Në të njëjtën kohë, siguronte mundësi përdorimi të pensioneve dhe kursimeve të tyre.
Disa nga martesat, të paktën, kishin karakter të përhershëm, çka i garantonte Akbarit të drejta më të mëdha ligjore mbi pasurinë.
Autoritetet bëjnë të ditur se, përpara vdekjes së bashkëshortit të fundit, ajo kishte përfituar prej tij një prikë me vlerë pesë miliardë rialë, ose rreth 102 mijë euro.
Në përfundim të procesit, gjykata e gjeti fajtore për 11 akuza të vrasjes së qëllimshme dhe për një akuzë tjetër të vrasjes së mbetur në tentativë.
Në raste të kësaj natyre, sistemi juridik i Iranit u jep peshë të konsiderueshme vendimeve të familjeve të viktimave, në përputhje me parimin e njohur si “qisas”.
Ekzekutimi i Akbarit u kërkua nga dhjetë familje, ndërsa familja tjetër pranoi kompensim financiar, i cili njihet si “diyya” ose “para gjaku”.
Për pasojë, gjykata shqiptoi dhjetë dënime me vdekje. Për vrasjen e mbetur në tentativë, Akbari mori gjithashtu një dënim me dhjetë vjet burg.
Trupi gjykues vendosi edhe sekuestrimin e pasurisë së saj. Mbrojtja ligjore kishte kërkuar që Akbari t’i nënshtrohej një ekzaminimi psikiatrik, duke vënë në pikëpyetje gjendjen e saj mendore.
Ky pretendim nuk u pranua nga gjykata. Sipas vlerësimit të saj, kryerja metodike dhe afatgjatë e veprimeve, përpjekjet për të mbuluar vdekjet dhe interesi financiar dëshmonin se krimet ishin planifikuar qëllimisht.
Përpara se vendimi të marrë formën e prerë, ai mund të ankimohet.
Çështja ka sjellë reagime të forta në Iran për shkak të numrit të viktimave dhe periudhës së gjatë gjatë së cilës dyshohet se janë kryer krimet. Vëmendje ka tërhequr edhe fakti se Akbari përfaqëson një nga rastet e rralla ku një grua akuzohet për vrasje seriale.
Dosja ka rihapur njëkohësisht diskutimin për martesat e përkohshme, abuzimin ekonomik ndaj të moshuarve dhe cenueshmërinë e personave që jetojnë të vetmuar ose larg familjarëve.
Në kushtet e plakjes së popullsisë së Iranit, ekspertët dhe autoritetet po shprehin shqetësim gjithnjë e më të madh për nevojën e mbrojtjes së të moshuarve nga mashtrimet, abuzimi dhe shfrytëzimi financiar.
