Partia e djathtë e skajshme Bashkimi Kombëtar është partia e vetme që mund të fitojë shumicën dërmuese në zgjedhjet parlamentare të Francës, deklaroi të mërkurën Kryeministri Gabriel Attal, duke u bërë thirrje votuesve francezë të bllokojnë ardhjen në pushtet të kësaj partie.
Katër ditë para mbajtjes së raudit të dytë të zgjedhjeve, Kryeministri Attal tha se shumë votuesve francezë do t’u duhet të shkojnë kundër vullentit të tyre, duke votuar për parti të cilat nuk i mbështesin në mënyrë që ato të vijnë në pushtet.
Bashkimi Kombëtar dominoi zgjedhjet në raudin e parë, duke i dhënë shpresë partisë së zonjës Marine Le Pen të formojë qeverinë e re dhe kandidatit të saj 28 vjeçar, Jordan Bardella të bëhet kryeministër në një “bashkëjetesë” të tensionuar me Presidentin Emmanuel Macron.
Por mbi 200 kandidatë nga partitë e majta dhe të qendrës gjatë kësaj jave hoqën dorë nga gara zgjedhore në raudin dytë, duke sakrifikuar shpresat e tyre për t’u zgjedhur me qëllim që të parandalojnë fitoren e kandidatëve të Bashkimit Kombëtar.
“Vetëm një bllok mund të fitojë shumicën dërmuese në parlament dhe ai është blloku i djathtë ekstrem,” i tha zoti Attal radios ‘France Inter’.
“Të dielën në mbrëmje, gjatë raudit të dytë, duhet të bëjmë çmos që e djathta e skajshme të mos fitojë shumicën dërmuese,” shtoi ai.
“Nuk është ndjenjë e mirë që disa francezëve do t’u duhet të bllokojnë (të djathtën)… duke dhënë një votë që nuk kanë dëshiruar ta jepnin”, tha ai.
“E them se është përgjegjësia jona që ta bëjmë një gjë të tillë,” shtoi ai.
Për të formuar qeverinë pa ndihmën e koalicioneve, partive u duhet të fitojnë 289 vende në parlamentin me 577 deputetë. Zonja Le Pen thotë se Bashkimi Kombëtar do të përpiqet të sigurojë mbi 270 vende në parlament, duke joshur anëtarë të tjerë të parlamentit që t’i bashkohen asaj.
“Në fund të raundit të dytë, fuqia do të jetë ose në duart e një partie të krahut të djathtë ekstrem, ose në parlament. Unë po luftoj për skenarin e dytë,” deklaroi zoti Attal.
Një mundësi, që ditëve të fundit po merr vëmendjen e shtuar të mediave, është alternativa që në vend të një qeverie të së djathtës ekstreme, Franca të qeveriset nga një koalicion i gjerë i partive të qendrës të Presidentit Macron, të së djathtës tradicionale, socialistëve dhe partisë së gjelbër.
Por zoti Attal nuk u zotua për këtë formë: “Nuk po flas për një koalicion. Nuk dua t’u imponoj francezëve një koalicion që ata nuk e kanë zgjedhur.”
Ish kryeministri Edouard Phillipe, që vazhdon të jetë një zë me ndikim në kampin pro-Makron, i tha televizionin francez TF1 të dielën se ai do të votojë për kandidatin komunist për ta ndalur të djathtën ekstreme.
Ai tha se pas zgjedhjeve ai do të mbështesë një shumicë të re parlamentare që mund të përfshijë “të djathtën konservatore dhe social-demokratët”, por nuk do të përfshinte partinë e majtë ekstreme Franca e Papërkulur, e njohur me shkurtesën LFI./ VOAH