Hera e parë pas 11 vitesh, humb jetën 5-vjeçari me fruth në Kanada

Një fëmijë në moshën pesë vjeç ka humbur jetën nga fruthi në Ontario në Kanada.

Raportohet se ky është rasti i parë me fruth që ka humbur jetën në 11 vite. Fëmija duhej të shtrohej në spital dhe nuk ishte vaksinuar kundër fruthit.

Që nga 1 janari 2013 deri në këtë javë nuk ka pasur asnjë vdekje të vetme nga fruthi në Ontario. Fruthi është një infeksion shumë ngjitës i shkaktuar nga një virus i ajrit që prek kryesisht fëmijët nën 5 vjeç. Mund të parandalohet me dy doza të një vaksine. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 50 milionë vdekje janë shmangur që nga viti 2000.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka fajësuar “ngurrimin në rritje të vaksinave” gjatë dekadës së fundit në Amerikën e Veriut dhe vende të tjera anembanë botës për disa shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme të fëmijërisë.

“Këshilla ime për të gjitha familjet është, dëgjoni mjekët tuaj, flisni me mjekët se cilat vaksina janë të përshtatshme për fëmijët (…) kjo është një tragjedi që askush nuk dëshiron ta përjetojë . Nuk mund ta imagjinoj se çfarë po kalon familja tani”, tha ai.

Në shkurt, OBSH paralajmëroi se më shumë se gjysma e vendeve të botës do të ishin në rrezik të lartë të një shpërthimi të fruthit deri në fund të vitit nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. Në Ontario, provinca më e populluar e Kanadasë, këtë vit janë raportuar 22 raste, 15 prej tyre në udhëtarë. Nga viti 2013 deri në vitin 2023 rastet ishin vetëm 101. Kanadaja eliminoi fruthin në vitin 1998 falë vaksinimit të përhapur. Si rezultat, rastet në Ontario zakonisht shoqërohen me udhëtime jashtë vendit dhe shpesh quhen “fruthi i importuar”.


Shtuar 17.05.2024 22:46

Tags: ,