Gruaja e kapur me 130 bretkosa helmuese arrestohet për trafik të botës së egër në aeroport (fotot)

Një grua është akuzuar për trafik të kafshëve të botës së egër pasi policia zbuloi 130 bretkosa helmuese të fshehura në kuti filmi, në bagazget e saj në aeroportin e El Dorado në kryeqytetin e Kolumbisë.

Amfibët e vegjël ishin mbyllur në kutitë e vogla teksa trafikantja udhëtonte drejt Sao Paulo nga Panamaja. Zyrtarët e doganave zbuluan ngarkesën e jashtëligjshme në aeroportin e Bogota, ku ajo pretendonte se i ishin dhuruar në Panama.

Shumë nga kafshët u gjetën në gjendje të dehidratuar e të keqtrajtuar.

Bretkosat helmuese gjenden zakonisht në pyjet e Amerikës qendrore dhe helmi i tyre përdoret në formë droge luksi. Trafiku i kafshëve të gjalla ekzotike është përhapur në shumë zona të rajonit.

Kreu i policisë së Bogota, Juan Carlos Arevalo tha: “Kjo specie e rrezikuar kërkohet në tregun e zi dhe shitet deri në $1,000 secila”.

Edhe në vitin 2022 dy gra u arrestuan në Tailandë teksa tentonin të trafikonin më shumë se 100 kafshë të gjalla në bagazhet e tyre, përfshi gjarpërinj, armadilo dhe iriqë.

Ato u kapën në qershor në aeroportin e Bangkok teksa tentonin të merrnin avionin drejt Lindjes së Mesme.