Greqia përforcon flotën ushtarake, marrëveshje me Italinë për dy fregata FREMM të klasës “Bergamini

Programi i gjerë për modernizimin e Forcave të Armatosura greke po zgjerohet me një tjetër investim të rëndësishëm në flotën luftarake.

Të lidhura

None found

Sipas korrespondentit të Top Channel, Aleksandër Marku, Athina dhe Roma do të nënshkruajnë më 8 shtator, në kryeqytetin italian, marrëveshjen që vë në zbatim blerjen nga Greqia të dy fregatave italiane FREMM të klasës “Bergamini”.

Në ceremoninë e firmosjes pritet të marrin pjesë ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ministri italian Guido Crosetto, si dhe drejtuesit e forcave detare të të dyja shteteve. Anijet që do të blihen janë Carlo Bergamini (F-590) dhe Virginio Fasan (F-591), të cilat aktualisht shërbejnë në Marinën italiane.

Sipas parashikimeve, Carlo Bergamini do t’i dorëzohet Marinës greke në gjashtëmujorin e parë të vitit 2028, kurse transferimi i Virginio Fasan pritet të realizohet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2029.

Dokumenti mes dy vendeve rregullon aspektet ekonomike, teknike dhe ligjore të blerjes. Ai përfshin gjithashtu mbështetjen e fregatave pas dorëzimit dhe angazhimin e kantierëve grekë në mirëmbajtjen e tyre, si edhe në përshtatjen e sistemeve të reja. Në marrëveshje lihet e hapur edhe mundësia që Greqia të blejë fregata të tjera në të ardhmen. Në njoftimin e publikuar më 26 gusht, Ministria greke e Mbrojtjes nuk bëri të ditur koston e marrëveshjes.

Ekspertët e sektorit përllogarisin se dy anijet, në gjendjen ku ndodhen aktualisht, mund të kenë një vlerë prej rreth 467 milionë eurosh. Megjithatë, kjo shifër nuk është konfirmuar zyrtarisht deri tani nga Ministria.

Asnjëra prej fregatave nuk është e sapondërtuar. Carlo Bergamini ishte njësia e parë e programit italian FREMM dhe iu dorëzua Marinës italiane në vitin 2012. Ajo ka konfigurimin “General Purpose”. Virginio Fasan, e marrë në dorëzim në dhjetor 2013, është projektuar posaçërisht për luftën kundër nëndetëseve.

Secila prej tyre ka gjatësi rreth 144 metra, zhvendosje afërsisht 6.700 tonë dhe mund të arrijë shpejtësi rreth 27 nyje. Autonomia e lundrimit llogaritet në rreth 6.000 milje detare. Në armatimin e tyre përfshihen, ndër të tjera, raketat kundërajrore Aster 15/30, raketat kundër anijeve Teseo dhe silurët MU90.

Futja e fregatave FREMM në flotë është vetëm një pjesë e transformimit më të gjerë që po kalon Marina greke. Në janar të këtij viti, asaj iu shtua “Kimon”, fregata e parë e re franceze FDI HN, e njohur gjithashtu me emrin Belharra.

Naval Group ka planifikuar që gjatë vitit 2026 t’i dorëzojë Greqisë edhe dy njësi të tjera, “Nearchos” dhe “Formion”. Ndërkaq, në nëntor 2025, Athina nënshkroi kontratën edhe për fregatën e katërt FDI, të quajtur “Themistocles”.

Me përmbylljen e programit në fuqi, Marina greke pritet të ketë katër fregata të reja FDI dhe të paktën dy fregata italiane FREMM. Paralelisht do të vazhdojë edhe përmirësimi i fregatave ekzistuese MEKO. Ministria e Mbrojtjes e sheh këtë ndërthurje si një nga bazat kryesore për forcimin e fuqisë detare greke në Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Marrëveshja aktuale me Italinë vazhdon një seri investimesh në mbrojtje, ritmi i të cilave u shtua ndjeshëm pas vitit 2020.

2018 – F-16 Viper: Athina nisi përmirësimin e shumicës së avionëve të flotës F-16 në standardin Viper. Programi nuk parashikon blerjen e avionëve të rinj, por përbën një nga projektet më të mëdha të modernizimit të aviacionit ushtarak grek. Buxheti i tij fillestar ishte rreth 1,5 miliardë dollarë.

2021 – Rafale: Greqia lidhi me Francën kontratën për 18 avionë luftarakë Rafale, prej të cilëve 12 të përdorur dhe gjashtë të rinj. Pas një viti, Athina bleu edhe gjashtë avionë të rinj, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 24. Avioni i fundit, i 24-ti, mbërriti në Greqi më 9 janar 2025.

2021 – M-346: Në marrëveshjen mes Greqisë dhe Izraelit për ngritjen e Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit Ajror në Kalamata u përfshinë 10 avionë të rinj stërvitorë M-346, simulatorë dhe modernizimi i sistemit të përgatitjes së pilotëve grekë.

2022 – Fregatat franceze FDI/Belharra: Athina firmosi blerjen e tre fregatave FDI HN, duke siguruar edhe opsionin për një anije të katërt. Paketa fillestare, ku përfshiheshin tri fregatat, armatimi dhe mbështetja e tyre, kishte një vlerë maksimale prej rreth 3,05 miliardë eurosh.

2024 – F-35: Greqia nënshkroi me Shtetet e Bashkuara dokumentin «Letter of Offer and Acceptance» për 20 avionë të gjeneratës së pestë F-35A. Marrëveshja i jep gjithashtu të drejtën të porosisë edhe 20 avionë të tjerë. Dorëzimi i njësive të para parashikohet të fillojë në vitin 2028. Autorizimi amerikan caktoi një kufi maksimal prej 8,6 miliardë dollarësh për paketën, e cila mund të përfshijë deri në 40 avionë dhe pajisjet përkatëse.

2025 – Fregata e katërt FDI: Kontrata për ndërtimin e “Themistocles” u firmos më 14 nëntor 2025. Me këtë porosi, numri i fregatave FDI të kërkuara nga Greqia arriti në katër.

Bashkëpunimi ushtarak me Izraelin dhe 10 avionët M-346 përbëjnë një pjesë të veçantë të këtij procesi. Athina dhe Tel Avivi nënshkruan në vitin 2021 marrëveshjen për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit Ajror në Kalamata.

Programi ka një vlerë rreth 1,65 miliardë dollarë dhe shtrihet në një periudhë afërsisht 20-vjeçare. Ai përmban 10 avionë të rinj M-346, simulatorë, sisteme stërvitore dhe mbështetje për flotën e avionëve të trajnimit. Dy M-346 e parë arritën në Kalamata në maj të vitit 2023.

Ky projekt vlerësohet si një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Greqisë dhe Izraelit. Synimi i tij është përgatitja e pilotëve për përdorimin e avionëve të gjeneratës së re, si Rafale dhe F-35.

Planet e modernizimit shtrihen edhe te helikopterët. Marina greke ka blerë shtatë MH-60R Seahawk, të njohur si “Romeo”, të cilët përdoren kryesisht në operacionet kundër nëndetëseve dhe objektivave sipërfaqësore.

Tre helikopterët e parë MH-60R mbërritën në Greqi në mars 2024, ndërsa sot Marina greke deklaron zyrtarisht se ka shtatë të tillë në përbërje. Ata do të operojnë përkrah helikopterëve më të vjetër S-70B Aegean Hawk dhe në bashkërendim me fregatat e reja të flotës.

Një projekt edhe më i madh i përket Ushtrisë greke dhe parashikon sigurimin e 35 helikopterëve UH-60M Black Hawk. Kontrata iu dha në vitin 2024 kompanisë Sikorsky-Lockheed Martin dhe, krahas helikopterëve, përmban trajnimin e personelit dhe mbështetjen fillestare.

Autorizimi i Shteteve të Bashkuara për të gjithë paketën kishte një kufi maksimal prej 1,95 miliardë dollarësh. Deri në gusht të vitit 2026, helikopterët nuk kishin mbërritur ende në Greqi. Pilotët dhe teknikët e parë grekë po përgatiten në SHBA, ndërsa plani aktual parashikon që dhjetë Black Hawk e parë të dorëzohen gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.

Zgjerimi i armatimit grek po ndiqet nga afër prej Ankarasë, në kushtet e një klime të ndjeshme gjeopolitike në Egje dhe Mesdheun Lindor. Në një përgjigje zyrtare të Ministrisë turke të Mbrojtjes, dërguar Parlamentit dhe të datuar më 10 gusht 2026, thuhet se Turqia monitoron me vëmendje si programet greke të armatimit, ashtu edhe aktivitetet e bashkëpunimit ushtarak të Athinës në këto zona.

Dokumenti u publikua fillimisht nga Nordic Monitor dhe mban firmën e ministrit turk të Mbrojtjes, Yasar Güler. Një vëmendje e veçantë i kushtohet afrimit ushtarak mes Greqisë dhe Izraelit. Në të pranohet se marrëdhëniet mes tyre janë thelluar në industrinë e mbrojtjes, teknologji, manovra dhe stërvitje.

Sipas Ministrisë turke, një bashkëpunim i tillë mund të konsiderohet i pranueshëm për aq kohë sa nuk drejtohet kundër shteteve të treta dhe zhvillohet duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, Ankaraja nënvizon se po e vëzhgon nga afër.

Në dokument trajtohet gjithashtu çështja e Qipros. Turqia shprehet e vendosur të mbrojë, sipas formulimit të Ankarasë, sigurinë, interesat dhe të drejtat e saj, si edhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore, entitet që njihet vetëm nga Turqia.

Në pjesën më të fortë të përgjigjes, Ministria turke e Mbrojtjes deklaron se ndërmerr përgatitjet dhe masat e domosdoshme për çdo situatë që mund të krijohet në terren, përfshirë “kriza, tensione dhe luftë”. Megjithatë, dokumenti nuk pretendon se një përplasje është pranë dhe nuk e përcakton as Greqinë, as Izraelin si kundërshtar konkret në ndonjë skenar lufte.


Shtuar 26.08.2026 17:34

sultanbeyli escortiptv satın alSüpertotobetAnkara escortAnkara escortmarsbahis girişcasibomcasibomparmabet girişHoliganbetMarsbahisperabetMarsbahissetrabetjojobetcasibomcasibomcasibomcasibomartemisbetmillibahismillibahisHoliganbetholiganbetjojobetjojobetmatbetmarsbahisgrandpashabetgrandpashabetgrandpashabetligobetjojobetjojobetjojobet girişMarsbahis GirişsetrabetJojobetjojobetmarsbahis