Goditje e rëndë për Moskën, sulm me raketa ukrainase në rajonin rus të Brjanskut, 6 civilë të vrarë dhe 37 të plagosur

Të paktën gjashtë civilë kanë humbur jetën dhe 37 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa të kryer nga Ukraina në rajonin rus të Brjanskut, bëri të ditur guvernatori lokal, Aleksandr Bogomaz.

Sipas tij, raketat goditën një fabrikë të pajisjeve mikroelektronike, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në objekt.

Autoritetet ruse e kanë cilësuar sulmin si një goditje të rëndë, jo vetëm për shkak të humbjeve në njerëz, por edhe për ndikimin që mund të ketë në sektorin ushtarak. Pajisjet që prodhohen në këtë fabrikë përdoren nga forcat e armatosura ruse, çka e bën objektivin strategjik.

Ngjarja konsiderohet gjithashtu një goditje për moralin e ushtrisë dhe opinionit publik në Rusi, ndërsa lufta mes dy vendeve vijon me sulme të ndërsjella në territor.


Shtuar 10.03.2026 20:04