Gjykata Supreme e SHBA-së, me shumicë konservatore, ka vendosur në favor të linjës së administratës Trump për deportime masive të emigrantëve, duke i dhënë asaj të drejtën të heqë mbrojtjen për 350,000 haitianë dhe 6,000 sirianë.
Me votim 6-3, gjykata arriti në përfundimin se ligji nuk i lejon gjykatat të rishikojnë vendimet e ekzekutivit lidhur me Statusin e Përkohshëm të Mbrojtur (TPS). Ky vendim mund të ndikojë më shumë se 1 milion njerëz.
Të lidhura
None found
TPS u jep mbrojtje përfituesve nga deportimi dhe u njeh të drejtën të punojnë në Shtetet e Bashkuara. Ky status u jepet përkohësisht emigrantëve, siguria e të cilëve rrezikohet në vendet e tyre të origjinës për shkak të luftës, fatkeqësive natyrore ose rrethanave të tjera “emergjente”.
Ish-Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, e cila u zëvendësua në mars nga Markwayne Mullin, revokoi TPS-në për rreth 15 kombësi, çka do të thotë se të paktën 1 milion njerëz përballen me deportim. Vendimet përfundimtare nuk janë dhënë ende për apelimet e tjera gjyqësore.
Ky status kishte mbetur në fuqi për haitianët dhe sirianët deri sot, kur Gjykata e Lartë mori vendimin për këtë çështje.
Sipas gjykatësit konservator Samuel Alito, gjykatat e shkallës së parë e kaluan kompetencën e tyre kur shqyrtuan vlefshmërinë ligjore të vendimeve të qeverisë. Në opinionin e tij për shumicën, ai hodhi poshtë edhe pretendimin e avokatëve haitianë se revokimi i TPS për qytetarët e vendit më të varfër në Amerikë ishte shtyrë nga “armiqësia racore e presidentit ndaj emigrantëve jo të bardhë”.
“Asnjë nga deklaratat e bëra nga presidenti ose sekretari i Sigurisë Kombëtare nuk ishte hapur raciste”, tha Alito.
Kur gjykata dëgjoi argumentet e palëve në prill, debati u përqendrua te deklaratat përçmuese të Presidentit Donald Trump për përfituesit e programit, për të cilët ai tha se vinin nga vende “të ndyra”. Këshilltari ligjor i administratës, John Sauer, këmbënguli se komentet e Trump lidhej me “problemet e krimit, varfërisë dhe varësisë nga mirëqenia” dhe se ato ishin paraqitur nga media “jashtë kontekstit”. Ai argumentoi gjithashtu se ligji nuk parashikon “asnjë shqyrtim gjyqësor” të vendimeve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare për atë se kush kualifikohet për TPS.
“Qeveria po e interpreton ligjin si një çek të bardhë”, tha Achilan Arulananthan, avokat i emigrantëve sirianë. “Çështja është të jemi në gjendje të deportojmë masivisht njerëz që nuk kanë bërë asgjë të keqe në vende që mbeten të rrezikshme”, paralajmëroi ai, duke kujtuar se Departamenti i Shtetit u rekomandon udhëtarëve amerikanë në Siri “të lënë pas një mostër ADN-je dhe të bëjnë një testament para se të largohen”.
Përveç haitianëve dhe sirianëve, vendimi i Gjykatës së Lartë vë në rrezik të drejtat e më shumë se 1 milion emigrantëve nga 17 vende që deri vonë mbështeteshin te TPS, komentoi organizata joqeveritare Global Refuge.
