Gjermania dhe më shumë se 20 aleatë të saj kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për t’u angazhuar në “përpjekje të përshtatshme” për të ndihmuar për sigurimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Britania e Madhe,Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia i dënuan gjithashtu sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare, si dhe ndaj impianteve të naftës dhe gazit në rajon.
“Pasojat e veprimeve të Iranit do të ndihen nga njerëzit në të gjitha pjesët e botës, veçanërisht nga më të dobtit,” thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre vendeve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje vendeve partnere që të ndihmojnë për rihapjen e kësaj rruge detare dhe i ka kritikuar vendet që nuk kanë vepruar në mënyrë të mjaftueshme.
Irani jep sinjale fleksibiliteti
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Araqshi, i tha agjencisë japoneze të lajmeve “Kyodo News” se Irani është i gatshëm t’i lejojë anijet që kanë të bëjnë me Japoninë që të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë nga e cila transportohet rreth 90% e importeve japoneze të naftës.
Irani gjithashtu ka lejuar edhe anijet që kanë si destinacion apo u përkasin vendeve të tilla si Kina, India dhe Pakistani që të kalojnë në mënyrë të sigurt përmes këtij korridori strategjik detar./DW
