Garda Revolucionare e Iranit: Do t’i vemë flakën çdo anijeje që kalon Ngushticën e Hormuzit

Një komandant i Forcave të Gardës Revolucionare të Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur dhe se forcat iraniane do të sulmojnë çdo anije që përpiqet ta kalojë atë.

Ky është paralajmërimi më i qartë nga Teherani që pas njoftimit të së shtunës, kur autoritetet iraniane bënë me dije se do të bllokonin këtë rrugë detare strategjike – një pikë kyçe për transportin e naftës, ku kalon rreth 20% e konsumit global të saj.

“Ngushtica është e mbyllur. Çdo kush që përpiqet të kalojë, heronjtë e Gardës Revolucionare dhe Marina do të vendosin zjarr mbi anijet,” tha gjenerali Ebrahim Jafari, në një mesazh të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.

Ngushtica lidh vendet e Lindjes së Mesme me prodhim të lartë të naftës si Arabia Saudite, Irani, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.

Më herët, Gardistët e Revolucionit njoftuan se një tanker me karburante është përfshirë nga zjarri pas një sulmi me dy dronë, sipas agjencive të lajmeve iraniane.