Franca i jep sot lamtumirën legjendës së ekranit Alain Delon

Ndërkohë që homazhet për legjendën e filmit Alain Delon u derdhën nga e gjithë bota pas vdekjes së tij në moshën 88-vjeçare, Franca po përgatit të hënën t’i japë lamtumirën, njërit prej yjeve të saj më të mëdhenj.
Asnjë homazh kombëtar nuk është planifikuar, pasi Delon e kishte bërë të qartë se nuk donte një të tillë. Ai tha se donte të varrosej pranë qenve të tij në pronën e tij në Douchy në Francë ku vdiq.
Ai tashmë kishte filluar t’ua bënte të ditur autoriteteve lokale atje, tha për AFP Christophe Hurault, nënprefekti i Loiret. Prefektura “kishte bërë marrëveshje në parim”.

Tre fëmijët e tij, Anthony, Anouchka dhe Alain-Fabien, të cilët janë grindur ashpër për muaj të tërë për trajtimin e tij mjekësor, folën me një zë të unifikuar të dielën kur shpallën vdekjen e babait të tyre.

Tani ata duhet të menaxhojnë funeralin e ikonës së ekranit, duke vendosur nëse do ta kufizojnë atë me rrethin e ngushtë familjar apo do ta shtrijnë atë në botën e kinemasë.

Delon, natyrisht, dominoi të hënën faqet e para të gazetave franceze, shumë prej tyre shfaqnin portrete në faqe të plota të aktorit në kulmin e tij.

“Samurai i fundit”, shkroi Le Figaro në titullin e saj kryesor në faqen e parë, një referencë për një nga rolet e tij më të famshme, si vrasësi enigmatik në thrillerin e Jean-Pierre Melville të vitit 1967 “Le Samourai”.

Interpretimet e Delon në disa nga filmat më të mëdhenj të viteve 1960 dhe 70 u vlerësuan gjerësisht dhe karizma e tij në ekran e pamundur të injorohej.
Lule dhe një portret i Alain Delon janë vendosur para shtëpisë së aktorit në fshatin francez Douchy, ku ai vdiq të dielën.


Shtuar 19.08.2024 09:16