Franca po përballet me një valë të paprecedentë të nxehti, e cila pritet të arrijë pikën më të lartë gjatë së mërkurës, ndërsa dhjetëra mijëra familje në perëndim të vendit kanë mbetur pa energji elektrike.
Sipas autoriteteve, rreth 68,000 banesa në Bretanjë janë prekur nga ndërprerjet, ndërsa furnizimi i plotë me energji nuk pritet të rikthehet përpara mbrëmjes.
Të lidhura
None found
Pjesa më e madhe e vendit vijon të jetë nën presionin e temperaturave ekstreme, me më shumë se gjysmën e Francës në alarm të kuq për vapë. Në jugperëndim, termometri mund të ngjitet deri në 43°C, ndërsa në Pissos, në rajonin Landes, janë matur 44.3°C, një nga temperaturat më të larta të kësaj vale të nxehti.
Meteo France ka bërë të ditur se e marta ishte dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në vend, me një mesatare kombëtare prej 29.8°C. Po ashtu, u regjistrua edhe nata më e nxehtë në histori, me 29.9°C.
Bilanci i ngjarjeve të lidhura me vapën është rënduar, pasi autoritetet bëjnë me dije se që nga java e kaluar të paktën 40 persona kanë humbur jetën në Francë. Në të njëjtën kohë, alarmi i kuq është shtrirë në 58 rajone, ndërsa 31 rajone të tjera vijojnë të mbeten nën alarm portokalli.
Temperaturat e larta nuk po kufizohen vetëm në Francë. Vala e të nxehtit është shtrirë edhe në pjesë të tjera të Evropës Perëndimore, ku Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar janë vendosur nën alarme për vapë ekstreme. Në disa zona të Britanisë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 38°C. Paralajmërime të forta janë lëshuar edhe në Evropën Qendrore dhe Lindore, përfshirë Poloninë, Kroacinë dhe Hungarinë.
Parashikimet tregojnë se kjo valë e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, duke lëvizur gradualisht në drejtim të Evropës Lindore.
