Halkidikia, një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në Greqi dhe rreth 100 km larg Selanikut, u përfshi pasditen e së enjtes nga një zjarr i përmasave të mëdha. Për shkak të rrezikut, autoritetet urdhëruan largimin e banorëve dhe të mijëra pushuesve nga qytezat Siviri dhe Fourka.
Të lidhura
None found
Zjarri nisi pas orës dy të mesditës dhe u përhap me shpejtësi nën ndikimin e erërave të fuqishme. Flakët kapërcyen rrugën kryesore, iu afruan bregdetit dhe depërtuan në zonat ku ndodhen banesat e pushimit, duke krijuar një front që shtrihet në më shumë se 4 km. Të paktën një shtëpi është konfirmuar se është shkrumbuar, por ende nuk është publikuar një bilanc zyrtar për numrin e përgjithshëm të banesave të dëmtuara.
Përballë përkeqësimit të gjendjes, autoritetet dërguan 4 njoftime paralajmëruese përmes numrit të emergjencës 112 dhe nisën evakuimet edhe nga deti. Banorë dhe turistë u morën nga plazhi i Sivirit me anije të Rojës Bregdetare, mjete të zjarrfikësve dhe varka private. Në të njëjtën kohë, autobusë u angazhuan për largimin e personave nga Siviri dhe Fourka.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë përfshirë 148 zjarrfikës, 54 automjete dhe katër ekipe këmbësore. Ndërhyrjet nga ajri kryhen në mënyrë periodike nga nëntë avionë dhe shtatë helikopterë, ndërsa forcave në terren u janë bashkuar edhe 12 zjarrfikës nga Moldavia.
Gjatë përballjes me flakët janë lënduar dy zjarrfikës. Njëri prej tyre u transportua në spital pasi pësoi dëmtim në këmbë, kurse zjarrfikësi tjetër pati probleme me frymëmarrjen.
Halkidikia dhe gadishulli i parë i saj renditen mes zonave më të preferuara nga turistët ballkanikë, përfshirë pushues nga Serbia, Rumania, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.
Megjithatë, Halkidikia nuk përbën vatrën e vetme aktive sot në Greqi. Mbi 5 rajone të vendit janë vendosur në alarm të kuq për të gjithë fundjavën, për shkak të temperaturave dhe erërave të fuqishme, të cilat në raste të caktuara kalojnë shpejtësinë 110 km në orë.
Vatra të tjera zjarri u regjistruan në Aitoloakarnania dhe në Akontio të Viotisë. Ndërkohë, zjarret në Vartholomio të Ilias, në Pelopones, si dhe në plazhin e Ofrinios në Kavala, u vendosën nën kontroll.
Gjatë vetëm 24 orëve të fundit, në mbarë Greqinë janë regjistruar 40 zjarre agro-pyjore. Prej tyre, 31 u vunë nën kontroll që në fazën e parë, ndërsa operacionet vijojnë në nëntë vatra.
Autoritetet greke kanë kryer ndërkohë mbi 5 arrestime në rajone të ndryshme të vendit, për shkaktim zjarresh ose për mosrespektim të rregullave të mbrojtjes nga zjarri. Hetimet po vazhdojnë për secilën vatër të re.
